Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Forcohet aleanca e populistëve para zgjedhjeve evropiane

Euroskeptikët bashkojnë forcat para zgjedhjeve evropiane. Tani edhe kryetarja e ‘Bashkimit Kombëtar’ francez, Marine Le Pen iu bashkua aleancës së iniciuar nga populisti e ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini.

Partia e populistes së djathtë franceze, Marine Le Pen sipas të dhënave të ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini i është bashkuar aleancës kritike ndaj Bashkimit Evropian që do të krijojë një grup parlamentar në Parlamentin e ri Evropian.

Kreu i partisë së djathtë, Lega falënderoi kryetaren e ‘Rassemblement National’, partisë së ‘Bashkimit Kombëtar’ dhe “miqve historikë dhe aleatëve” të partisë së tij. Edhe Jörg Meuthen, kreu i partisë gjermane, ‘Alternativa për Gjermaninë’ (AfD), i përshëndeti “miqtë francezë në Parlamentin Evropian”.

Aktualisht populistët e djathtë janë mjaft të përçarë në nivel evropian. Matteo Salvini po përpiqet që t’i bashkojë ata në një grup parlamentar të ri në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të majit për të forcuar maksimalisht ndikimin e tyre.

Salvini dhe Meuthen e ngritën në këmbë këtë aleancë para pak ditësh në Romë. Iniciatorët e aleancës e përcaktojnë atë si ‘patriotike’ dhe ‘liberale’. Edhe partia populiste austriake FPÖ, partia ‘Finlandezët’, partia daneze Popullore dhe populistë të djathtë nga Estonia, ‘Sme Rodina’ nga Sllovakia janë bërë ndërkohë pjesë e aleancës populiste djathtiste. Por ata nuk do të dalin me një program të përbashkët në zgjedhjet evropiane.

Jörg Meuthen është kandidati kryesor i partisë gjermane AfD për zgjedhjet evropiane. AfD e quan të nevojshme daljen e Gjermanisë nga Bashkimi Evropian, nëse “idetë për reforma themelore në sistemin e tanishëm të Bashkimit Evropian nuk do të realizohen në një kohë të përshtatshme”. /Deutsche Welle/