Search

‘Ford’ anulon ndërtimin e fabrikës në Meksikë

‘Ford’ njoftoi se do ka hequr dorë nga plani i ndërtimit të një fabrike në Meksikë, me një vlerë prej 1.6 miliardë dollarë. Vendimi vjen pas kritikave të shumta nga presidenti i zgjedhur Donald Trump.

Ky i fundit ka pasur në fokus të fushatës elektorale pikërisht zhvendosjen e forcës punëtore jashtë Shteteve të Bashkuara, duke njoftuar madje edhe implementimin e një takse shtesë për ato kompani që veprojnë në këtë mënyrë.

Madje ai e ka sulmuar drejtpërdrejtë kompaninë, duke deklaruar se nuk do ta lejonte të hapet fabrikën në Meksikë, duke vendosur një taksë shtesë për autoveturat e importuara më pas në Shtetet e Bashkuara.

‘Ford’ që është edhe prodhuesi i dytë më i madh i makinave në Shtetet e Bashkuara, deklaroi se, vendimi nuk ka lidhje me kritikat e Trump, por se vjen në kuadër të ndryshimit të strategjisë.

Kompania deklaron se paratë do të investohet për zgjerimin e aktiviteti në njësinë e prodhimit në Michigan, ku do të punohet në mënyrë intensive për krijimin e makinave elektrike, hibride dhe autonome.

Për këtë projekt janë akorduar fillimisht 4.5 miliardë dollarë, dhe kësaj shumë tashmë i shtohen edhe 700 milionë dollarë, në mënyrë që të zgjerohet fabrika dhe të punësohen rreth 700 punonjës të tjerë.

Vendimi erdhi pikërisht në ditën që kongresi i ri amerikan i udhëhequr nga republikanët u betua zyrtarisht. Ford pritet që të nxjerrë në treg fuoristradën elektrike brenda viti 2020. Kompania deklaroi ndër të tjera se do të dëmshpërblejë Meksikën për investimet publike që janë kryer në kuadër të krijimit të fabrikës në vend.