Search

Futbolli si instrument grabitjeje

Mediat e vendit janë të mbushura këto ditë me kronika mbi duelin ndërmjet ish-Kryeministrit Bashkim Fino dhe prodhuesit të vezëve Armand Duka për postin e Presidentit të Federatës Shqipëtare të Futbollit (FSHF), përfshi lajmet për shoqëri të rreme që do të shërbejnë për të ndryshuar rezultatin e votimeve. Ndërsa, vetëm pak javë më parë, u dha lajmi se Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit ka ndjekur një kurs të shkurtër për drejtor sportiv të skuadrës së Gaz Demit, të lavdishmës Partizani.

Është e qartë se bota e futbollit shqiptar, edhe pse për nga shkëlqimi, spektatorët dhe angazhimi nuk afrohet me atë të kampionatëve evropiane, tërheq gjithnjë e më shumë pushtetin politik dhe atë ekonomik. Por nuk duket se një tërheqje e tillë ka lidhje me përmirësimin e imazhit apo të rritjes së ndikimit, por duket se interesi është i lidhur edhe këtë herë me çështje të pasurive të patundshme.

Ndërsa ‘qytetari dixhital’ që në muajin mars akuzonte çiftin Olsi Rama – Gaz Demi se kërkonin të ndërtonin një pallat në tokën shtetërore pranë klubit sportiv ‘Partizani’, në vende të tjera të dedikuara për futbollin po zbatohen ndërtime të dyshimta dhe të prekshme.

Provën për këtë e jep Kryeministri Edi Rama, i cili në inagurimin e punimeve të kompleksit sportiv në zonën e ish-kompleksit ‘Dinamo’ pohooi se brenda 18 muajve në të njëjtin kompleks do të vendosen edhe zyrat e FSHF-së.

Si gjithmonë Qeveria Rama bën dhe çbën pa asnjë vëmendje ndaj asaj që ka thënë, apo bërë, në të shkuarën dhe madje pa asnjë shqetësim për procedurat ligjore.

Në fakt, kur u paraqit projekti i debatuar i stadiumit të ri ‘Arena Kombëtare’ të gjithë sportistët shqiptarë i bënë me dije, nga Kryeministri dhe nga funksionarët e FSHF-së, se kjo e fundit do të përfitonte rreth 4 mijë metra katrotrë sipërfaqe për zyra brenda kompleksit të ri.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Arben Dervishi, autori formal i operacionit ‘Stadium në këmbim të një qendre tregtare me kullë hoteli’, që praktikisht i vuri në dispaozicion tokën e stadiumit të vjetër ‘Qemal Stafa’ për ndërtimeve spekullati, FSHF do të merrte deri në 12 mijë metra katrorë sipërfaqe.

Kurse, tani, zbulojmë se Qeveria do t’i bëjë një dhuratë tjetër FSHF-së, e cila mori dhuratë zonën e ‘Qemal Stafës’ për një vlerë rreth 50 milionë euro, duke ndërtuar zyrat e reja të saj në kompleksin e ri, ende sot në pronësi shtetërore.

Si gjithmon, informacioni i plotë mungon, por mund të vëmë bast (nëse Duka nuk e trukon rezultatin) se edhe në këtë rast do të shfaqet një kompani private që në këmbim të ndërtimit të zyrave do ta gjejë veten pronare të një pjesë të madhe të godinës së ndërtuar në tokë publike.

Deri më sot nuk duket se ka ndonjë akt ligjor dhe publik i qeverisë për të kaluar tek një subjekt privat (si FSHF) një pronësi shtetërore.

Shpjegimi për heqjen dorë nga zyrat e reja brenda ‘Arenës Kombëtare’ është i qartë: duheshin hapësira të tjera tregtare për të përmirësuar fitimet e kompanisë ndërtuese ose të atyre që janë pas gjithë operacionit, me gjasa njerëzit më të afërt të Kryeminsitrit Rama.

Ajo çfarë nuk dimë ende është nëse kandidatura e Bashkim Finos për presidencën e Federatës është ka lidhje apo ajo me këtë ndpërmarrje të re ndërtuese të FSHF-Qeveri. /Exit.al