Search

Gati infrastruktura e mbledhjes së pagesës për ‘Rruga e Kombit’

Në afërsi të tunelit të Kalimashit, që nga fillimi i muajit shtator të këtij viti, ndërmarrësit koncesionarë të ‘Rruga e Kombit’ po përshpejtojnë punën për ndërtimin e terminalit të pagesave për taksën e kësaj rruge. Automjete e makineri të rënda janë në proces të sheshimit të kodrave në afërsi të tunelit të Kalimashit, ndërkohë që brenda dhjetorit pritet që ky terminal të jetë gati dhe në të do të nisë pagesa prej pese eurosh për makinat e vogla.

Por, pavarësisht nga pagesa, gjendja e sigurisë rrugore në segmentin Kukës-Morinë lë për të dëshiruar. Në këtë segment, që ka shtatë ura, ato janë të qasshme vetëm me nga një korsi dhe mosdyfishimi i tyre që nga përurimi i rrugës, në vitin 2009, ka sjellë mjaft pasoja, duke shënuar një numër të lartë aksidentesh rrugore dhe jetë të humbura. Pika të rrezikshme ka edhe në segmentin nga tuneli i Kalimashit deri në Kukës.

Ndërkohë, sapo kalon kufirin me Kosovën, përballesh me një pamje tërësisht ndryshe nga ‘Rruga e Kombit’ në pjesën shqiptare. Autostrada ‘Ibrahim Rugova’ është e përfunduar tërësisht, me të gjithë elementët. Edhe për pagesën e taksës, nga ana e autoriteteve kosovare është menduar që në ndërtimin e saj, por ende nuk ka ndonjë zhvillim. Madje, veç terminalit ku mund të vilet taksa, në afërsi të Prizrenit, që në fillim është vendosur edhe sinjalistika për pagesën. Në një farë mënyre, kosovarët e kanë ditur ditur prej kohësh që dikur kjo autostradë do të jetë me pagesë, por Qeveria e Prishtinës, deri më tani, nuk e ka vendosur ende një gjë të tillë.

Ndërkohë, po ndodhi kjo, qytetarët e Kosovës, ndryshe nga qytetarët e Shqipërisë, kanë të gatshme rrugët dytësore, që mund t’i përdorë ai që nuk dëshiron të përdorë autostradën. Kjo infrastrukturë nga ana e Shqipërisë mungon.