Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Gjermania, destinacioni i ringjallur i të larguarve shqiptarë

Institucionet e Bashkimit Evropian kanë bërë me dije se nga 580 mijë azilkërkues në kontinent, prej tyre 3 për qind janë shqiptarë. Madje të dhënat e Eurostat theksojnë faktin se pavarësisht se fenomeni i largimit me qëllim azilin drejt ekonomive të fuqishme evropiane ka shënuar rënie krahasuar me 2014, kur regjistroi edhe nivelet më të larta, përsëri për 2018 ai shfaqi një rritje të ndjeshme.

Një ndër destinacionet më të zgjedhura nga të larguarit shqiptarë mbetet përsëri Gjermania. Edhe pse për shkak të politikave strikte të lejeve të qëndrimit, shqiptarët filluan t’i drejtoheshin Francës, duket se Gjermania u bë sërish një alternative e pëlqyer, pas të dhënave se Gjermania është shteti evropian me numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit miratuar për shqiptarët me rreth 139,600 të tilla.

Shifrat më të fundit të Zyrës Federale të Statistikave në Gjermani, tregojnë se që pas vitit 2015 e cila shënoi një rritje enorme të azilkërkuesve, së fundi numri i shqiptarëve në Gjermani është rritur përsëri. Megjithatë ndryshme nga 4 vjet më parë, sot situata ndryshon pasi nuk bëhet fjalë për azilkërkues, por për emigrantë shqiptarë të rregullt, të cilët në pjesën dërrmuese janë të kualifikuar dhe diplomuar në fusha të caktuara.

Kështu, për vitin 2018 rezulton se kanë hyrë në Gjermani 55,495 shqiptarë, krahasuar me vitin e mëparshëm kur numri rezultonte në 48,705, rritje kjo e përllogaritur në 13.9 për qind.

Sipas të dhënave, 10 mijë shqiptarë në Gjermani kanë më pak se një vit qëndrimi atje, ndërsa institucionet bëjnë me dije se vetëm gjatë vitit të kaluar u shtuan në regjistrat e të huajve rreth 18 mijë shqiptarë. Sigurisht që jo të gjithë ata që synojnë qëndrimin në Gjermani marrin aprovimin dhe kjo duket edhe nga rezultatet që theksojnë faktin se gjatë 2018 rreth gjashtë mijë shqiptarë iu drejtuan këtij shteti por qëndrimi i tyre u refuzuar dhe ata u detyruan të kthehen në vend.

Pas rritjes së ndjeshme të të larguarve nga vendi së fundi dhe dëshirës në rritje për ta ndërtuar jetën jashtë kufijve situata paraqitet shqetësuese, pasi në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për njerëz të kualifikuar dhe me një profesion, largimi i të cilëve është një kambanë alarmi për shoqërinë.