Search

Gjermania dhe Kosova nënshkruajnë grant për menaxhimin e mbeturinave

Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Gjermanisë, e përfaqësuar nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), kanë nënshkruar sot dy grante për projektet “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta”, në vlerë prej 4 milionë euro dhe ”Shërbime Profesionale të Pranuesit në Kuadrin e Programit II të Menaxhimit të Mbeturinave”, në vlerë prej 1.466 milionë euro.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfW, Kirk Mildner, ndërsa pjesëmarrës ishte edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel Voss.

Me këtë rast, ministri Hamza theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane ka prodhuar shumë projekte të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Padyshim që sektori i ambientit është sektori i radhës ku do të investojmë pasi që nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha në nivel lokal dhe qendror”, shtoi Hamza.

Ai bëri të ditur se ministria, të cilën e drejton vazhdimisht është duke punuar së bashku me donatorë dhe Institucione Financiare Ndërkombëtare për të gjetur financim për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

“Këto investime, është e domosdoshme që ti bashkërendojmë edhe me rritjen e vetëdijes sonë si qytetarë për ruajtjen më të madhe të ambientit. Për mua sot është kënaqësi e veçantë, nënshkrimi i dy marrëveshjeve për sektorin e ambientit. Fjala është për dy projekte për Mbeturina të Ngurta, respektivisht 1.46 milionë euro përdoren për studim fizibiliteti për identifikim të nevojave për investime shtesë në deponitë nacionale të mbeturinave dhe 4 milionë euro do të përdoren për masa investive për disa komuna të Kosovës të cilat përmes një konkursi nga GIZ-i kanë dalë fituese”, shtoi Hamza, përcjell Telegrafi.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Komunat do të përfitojnë kontejnerë të llojeve të ndryshme për grumbullim dhe seleksionim, makineri dhe pajisje të tjera për ofrimin e shërbimeve të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, pajisjet për pastrimin e rrugëve, materialet dhe pajisjet për përmirësimin e operimit dhe mirëmbajtjes, shërbime këshilluese të drejtuara kah planifikimi dhe zbatimi i masave të lartpërmendura”.

Sekretarja e parë e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Anja Becky, shprehi vlerësimin më të lartë me rastin e nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme, ku sipas saj Qeveria Gjermane është krenare që i ofron këto grante sektorit të mbeturinave të ngurta në Kosovë.

“Javën e kaluar Gjermania me disa aktivitete shënoi 10 vitet e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Megjithatë, bashkëpunimi për zhvillim filloi shumë më herët dhe vitin e ardhshëm do të festojë 20 vitet e bashkëpunimit dhe nga pikëpamja jonë ky bashkëpunim ka qenë shumë i suksesshëm. Gjatë kësaj periudhe Gjermania me donatorë të tjerë kanë mbështetur shumë projekte në infrastrukturën komunale. Me një angazhim të fuqishëm është arritur një progres i madh në sektorin e Ujit dhe Ujërave të Zeza. Mbeturinat e ngurta janë sektori ku mungon një zhvillim përkatës dhe duhet të zhvillohen me tutje”, tha Becky.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se sot janë nënshkruar dy projekte me qëllim parandalimin e degradimit të mëtejshëm të mjedisit dhe përmirësimin e sektorit të mbeturinave.

“Një projekt i dedikohet studimit për deponitë. Studimi ka për qëllim të elaborojë pasuritë e Kompanisë së Menaxhimit të Deponive të Kosovës KLMC, kushtet aktuale dhe zgjidhjet potenciale të ardhshme. Me këtë studim ne jemi duke synuar për të identifikuar nevojat e menjëhershme për të investuar. Gjermania tashmë ka ndarë fonde të zotuara për të investuar në deponitë pasi të përfundojë studimi. Projekti i dytë është një shembull i mirë i bashkëpunimit financiar dhe teknik nga Qeveria Gjermane. Ky projekt do të sigurojë pajisje për të përmirësuar shërbimet në sektorin e mbeturinave për 16 komuna dhe pesë ndërmarrjeve të mbeturinave të ngurta”, shtoi ajo.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfW, Kirk Mildner, tha se ka nderin për të nënshkruar këto dy marrëveshje shumë të rëndësishme.

“Këto Marrëveshje janë dëshmi të një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm të cilën e gëzojmë me miqtë tanë nga Qeveria e Kosovës. Në të kaluarën kemi arritur shumë, në veçanti në sektorin e ujit dhe të ujërave të zeza ku kemi investuar më shumë se 150 milionë euro në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe ujërave të zeza. Dëshmi për këtë është furnizimi tanimë me ujë për 24 orë në Prishtinë gjë e cila ka munguar në të kaluarën, dhe kjo dëshmon punën e mundimshme të Qeverisë, Kompanive të Ujit dhe qytetarëve të Prishtinës”, tha Mildner. /Telegrafi/