Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Gjermania me strategji shtetërore për shfrytëzimin e potencialit të Blockchain

Qeveria Federale e Gjermanisë ka miratuar një strategji e cila ka për qëllim të marrë më të mirën e teknologjisë Blockchain, ndërsa nga ana tjetër të lehtësoj rreziqet që vinë nga zbatimi i saj.

Strategjia synon të hapë potencialin e Blockchain dhe teknologjive të regjistrave të decentralizuara në vend duke mbështetur transformimin dixhital dhe parandaluar rreziqet dhe abuzimet nga përdorimi i tyre.

Sipas planit, zhvillimet në Gjermani janë në një linjë me strategjinë evropiane dhe vetëm sa do të përmirësoj më tutje tregun dixhital dhe ta mbajë vendin më konkurrues.

Miratuar nga kancelarja Angela Merkel, strategjia vendos themelet e prioriteteve qeveritare në hapësirën Blockchain si identiteti dixhital, letrat me vlerë dhe financat e korporatave.

Nën strategjinë e re, shteti gjerman nuk do të tolerojë rrezikun që i kanoset parasë shtetërore nga kriptovalutat si ajo e Facebookut e quajtur Libra.

Kjo strategji u miratua pas një konsulte të gjerë me industrinë dhe me përfshirjen e 158 ekspertëve dhe përfaqësuesve të kompanive në këtë fushë.

Vetë qeveria do të zbatojë një projekt pilot për një identitet dixhital bazuar në teknologjinë Blockchain. Megjithatë rezultati i konsultimit realizuar nga qeveria gjermane sugjeron se aktorët kryesorë të tregut preferojnë një rregullim të tregut në nivel Evropian dhe jo shtetëror për të adresuar kriptovalutat.

“Duam të jemi një pararojë e teknologjisë Blockchain në Evropë”, tha ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz.

Edhe pse Blockchain shquhet për përdorimin e tij në Bitcoin dhe kriptovaluta të tjera, ekzistojnë fusha dhe zbatime të tjera pafund në sektorë të shumtë.

Por lëvizjet drejt teknologjisë Blockchain nuk po ndodhin vetëm në Gjermani. Në Estoni 95 për qind e të dhënave gjeneruara nga spitalet dhe doktorët janë dixhitalizuar dhe teknologjia Blockchain po përdoret për t’i siguruar këto të dhëna.

Franca, Italia, Spanja, Malta, Qiproja, Portugalia dhe Spanja nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të promovuar adoptimin e Blockchain në Evropë.