Search

Google apelon gjobën e KE-së

Google tha të hënën se kishte apeluar vendimin e Komisionit Evropian (KE) për të gjobitur gjigantin e motorit të kërkimit me gjobë rekord prej 2.4 miliardë eurosh.

Më 27 qershor, KE tha se Google ka abuzuar me pozitat dominuese në Evropë duke favorizuar shërbimet e saj në kurriz të rivalëve në rezultatet e kërkimit.

Komisioni kishte kërkuar nga Google ndalimin e një praktike të tillë brenda datës 28 shtator.

Hetimi ndaj Google daton që nga 2010-ta. Akuzat formale u bënë përgjatë periudhës 2015-2016, ndërsa Google vazhdimisht ka refuzuar pretendimet e Komisionit.

90 për qind e kërkimit në internet kryhet përmes Google në Evropë. Sipas Komisionit që nga 2008-ta Google shfaqte në krye të rezultateve të kërkimit shërbimet e saj të blerjes online.

Sipas shefes së anti monopolit, Margaret Vestager, Google ka abuzuar me pozitat dominuese duke favorizuar shërbimin e saj të shitblerjes në rezultatet e motorit të kërkimit. /PCWAlbanian