Search

Greqi, bankat nuk do të hapen të hënën

Greqi, bankat nuk do të hapen të hënën. Tsipras: Populli të ruajë qetësinë, depozitat janë të sigurta Bankat në Greqi nuk do të hapen të hënën, në mënyrë që të shmanget kolapsi financiar pas vendimit të fundit të Bankës Qendrore Europiane se nuk do të shtojë fondin e emergjencave për bankat greke.

Fillimisht, lajmi është bërë i ditur nga Shefi Ekzekutiv i bankës së dytë më të madhe në Greqi, “Piraues Bank”, Anthimos Thomopoluos. Ai tha ky vendim është marrë pas një takimi të komisionit për stabilitet financiar të qeverisë.

Më vonë, i njëjti lajm u konfirmua edhe nga kryeministri grek, Alexis Tsipras. Ai i është drejtuar popullit përmes një deklarate, ku u ka kërkuar që të ruajnë qetësinë, ndërsa shtoi se depozitat e tyre ishin të sigurta.

Ndërkohë, pas konfirmimeve se nuk do të shtojë fondin e emergjencave, Banka Qendrore Europiane deklaroi se megjithatë është e gatshme ta rishikojë vendimin e saj dhe të bashkëpunojë me bankën e Greqisë.

Tavani aktual për fondet e emergjencës së BQE-së apo asistencën e likuidetit siç njihet ndryshe, është 89 miliardë euro. Fondet në fjalë përdoren nga bankat për t’i siguruar “cash” depozituesve që kërkojnë paratë e tyre mbrapsht.

Lëvizja e Bankes Qendrore Europiane vjen pas refuzimit të ministrave europianë të Financave për të shtyrë afatin për pagesën e këstit. Pa fonde te reja, Greqia rrezikon falimentimin.