Guvernatori Mehmeti prezanton para studentëve zhvillimet e fundit të sektorit financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në kuadër të aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universiteti të Mitrovicës ‘Isa Boletini’.

Mehmeti para studentëve dhe stafit akademik ka prezantuar zhvillimet e fundit në të gjithë sektorët financiarë, me theks të veçantë në sektorin bankar, i cili vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe likuid.

“Vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar në janar të vitit 2019 arriti në 4.16 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.6 për qind krahasuar me janar të vitit 2018. Gjithsej kreditë (bruto) në janar të vitit 2019 ishin në shumë prej 2.75 miliardë euro, të cilat shënuan rritje vjetore prej 11.4 për qind. Gjithsej depozitat në janar të vitit 2019 evidentojnë 3.35 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.4 për qind. Treguesi i kredive joperformuese ishte në normën prej 2.6 për qind në janar të vitit 2019 nga 3.1 për qind sa ishte në janar të vitit 2018”, ka thënë Mehmeti duke shtuar se aktualisht, depozituesit janë të siguruar për secilën bankë anëtare, deri në shumën e siguruar prej 5 mijë eurosh.

Sipas Mehmetit, Banka Qendrore luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes dy mënyrave.

“Një njërën anë ndikon në vëllimin e kredisë së bankave komerciale duke përcaktuar rezerven minimale përmes kërkesave rregullative dhe në anën tjetër promovon dhe ruan një sektor financiar të qëndrueshëm dhe efikas në Kosovë përmes licencimit rregullimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve financiare”, ka deklaruar Mehmeti.

Para audiencës, ai ka folur edhe për ndryshimet ligjore që janë ndërmarrë nga Banka Qendrore, duke nisur nga draftimi i Ligjit të ri për Banka i cili pas shqyrtimit nga Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës pritet që gjatë vitit 2019 të dërgohet në Qeverinë e Kosovës, që më pas të procedohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se gjatë vitit 2018 janë miratuar nga Bordi i Banka Qendrore e Kosovës edhe shumë rregullore që janë me rëndësi për sektorët që i mbikëqyr Banka Qendrore siç janë, Rregullorja e Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar (SNRF) 9, Rregullorja për Adekuatshmërinë e Kapitalit të Bankave, Rregullorja për Treguesit e Leverazhit dhe Rregullorja mbi Procesin e Vlerësimit të Brendshëm të Mjaftueshmërisë së Kapitalit.

Po ashtu, ai u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të studentëve rreth sektorëve që i mbikëqyr Banka Qendrore e Kosovës. /Gazeta Ekonomia/

0 Reviews

Write a Review

Read Previous

Shërbyesit civilë në Universitetin e Prishtinës nuk po i marrin pagat me rritje

Read Next

Sekretari Halimi merr përkrahje nga Banka Botërore për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë