Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Hamza: Kosova po e përmbyll vitin me stabilitet financiar

Ministria e Financave po e përmbyll një vit shumë të suksesshëm. Falë angazhimi të madh të personelit dhe një bashkëpunimi të shëndosh me donatorët ne kemi arritur të nënshkruajmë 25 marrëveshje financiare, ku 17 prej tyre janë marrëveshje grant në vlerë prej 181 milionë euro, kështu deklaroi, ministri i Financave, Bedri Hamza, në konferencën e fundit për këtë vit fiskal.

Hamza gjithashtu theksoi se gjatë vitit 2018, në fushën legjislative nga Ministria e Financave janë proceduar në Kuvendin e Kosovës 14 ligje.

Për sa i përket reformave fiskale, Hamza bëri të ditur se gjatë vitit 2018 është bërë reforma më e madhe ekonomike që ka ndodhur ndonjëherë në vend, duke filluar nga lirimet nga tatimin doganore për lëndën e parë, gjysmë produkti, linjat e prodhimit, pjesët rezerve dhe pajisjet e teknologjisë informatike, si dhe lirimi nga tatimi i akcizës për lëndët ndihmëse në procesin e prodhimit.

Ministri Hamza gjatë konferencës bëri të ditur se performanca ekonomike mbetet solide, me tendencë përmirësimi dhe sipas tij, Kosova do të ketë rritje prej 4.3 për qind, ku investimet private dhe publike, si dhe eksportet janë kontribuuesit kryesor të kësaj rritje.

Ndërsa, a i përket të hyrave buxhetore, ministri Hamza bëri të ditur se ka pasur rritje të të hyrave buxhetore prej 6 për qind, ku të hyrat tatimore kanë qenë 1.5 miliardë euro, shumë e cila pritet të rritet për disa milionë euro deri në fund të vitit, respektivisht deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Me këtë rast ministri Hamza theksoi se sa i përket ndikimit në mos përmbushjen e planit të të hyrave, ka ndikuar performanca e dobët komunave për të hyrat, ku me këtë rast ministri Hamza bërë thirrje për një angazhim dhe përkushtim ma të madh nga komunat sa i përket të hyrave komunale.

Po ashtu, Hamza bëri të ditur se sa i përket shpenzimeve buxhetore, vlen të theksohet se një ndër sukseset më të mëdha në këtë vit është që për herë të parë që nga vitit 2013, investimet kapitale kanë kaluar shumën mbi 500 milionë euro.

“Ndërsa, bilanci bankar është në një nivel shumë të mirë dhe presim që këtë vit të jetë 385 milionë euro për krahasim që vitin e kaluar ishte 358 milionë euro. Ndërsa, deficiti buxhetor ka qenë i projektuar për 2 për qind dhe sipas rezultateve shihet që deficiti primar është 0.9 për qind”, shtoi Hamza.

Në fund, ministri Hamza falënderoi gazetarët për bashkëpunimin dhe qasjen profesionale ndaj Ministrisë së Financave. /Gazeta Ekonomia/