Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Haradinaj: Ne jemi të interesuar ta heqim tarifën sot, por vetëm nëse na njeh Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është e gatshme ta largoj tarifën 100 për qind, ku sipas tij kjo do të bëhet atëherë kur Serbia do ta njeh Kosovën.

Haradinaj këto komente i bëri në një konferencë për media pas takimit me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

“Taka është vendim i qeverisë së vendit, ky vendim legjitim dhe është shpjeguar. Ne jemi të interesuar ta heqim taksën sot, por vetëm nëse na njeh Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Ai në këtë konferencë tregoi se Kosova është e gatshme të shpallë investitorët e parë strategjik.

“Biseduam për të gjitha zhvillimit që lamë pas dhe për të zhvillimet e ardhshme. Kemi ligjet e gatshme për ta shpallur investitorin e parë strategjik. Këtë e kemi pritur gati dy dekada, në pritje janë 11 investitorë strategjik dhe janë mbi dy miliardë euro investime”, shtoi ai.

Kujtojmë se me 6 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi taksë për 10 për qind për mallrat me origjinë nga këto dy vende, por pas pengesave në arenën ndërkombëtare si dhe dështimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, Qeveria e Kosovës më 21 nëntor 2018, ngriti taksën në 100 për qind, për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.