Search

Hidhet në qarkullim kartëmonedha e re 500 Lekë

Banka e Shqipërisë (BSH) njofton publikun se duke filluar nga data 10 nëntor 2017, do të hidhet në qarkullim kartëmonedha shqiptare me vlerë nominale 500 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2015. Kartëmonedha e re ka të njëjtën përbërje, pamje dhe përmasa me kartëmonedhën me vlerë nominale 500 Lekë, emetim i vitit 2007.

“Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e kartëmonedhës, i cili në kartëmonedhën e re do të jetë ‘2015’, ndryshon firma e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe ajo e drejtorit të departamentit të Emisionit, ndryshon trashësia e fillit të sigurisë nga 1.5 milimetër bëhet 2 milimetër, si dhe drejtshkrimi i fjalëve ‘SHQIPËRISË’ dhe ‘PESËQIND LEKË'”, thuhet në njoftimin e BSH-së.

Nga data 10 nëntor 2017, kartëmonedha e re, me vlerë nominale 500 Lekë, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme. /Gazeta Ekonomia