Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

IFC dhe Ministria e Bujqësisë lansojnë sistemin e sigurimit për fermerët në rast të fatkeqësive natyrore

April 11, 2019

Korporata Ndërkombëtare e Financave (IFC) si anëtare e Bankës Botërore, i ka bashkuar forcat me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) për ta lansuar sistemin e sigurimit të prodhimtarisë bujqësore në mënyrë që t’i jepet një shtytje zhvillimit të sektorit bujqësor në vend.

Projekti i agro-financimit për Evropë dhe Azi Qendrore i IFC-së ka punuar me ministrinë për të zhvilluar e zbatuar një sistem të sigurimit bujqësor transparent, të qëndrueshëm dhe financiarisht të zbatueshëm me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të këtij sektori.

Gjatë viteve 2016 e 2017, bujqësia në Kosovë është vlerësuar se ka humbur rreth 15 milionë euro në formë të dëmeve, të cilat do të mund të ishin parandaluar me vendosjen e një sistemi adekuat të sigurimit.

“Tani bujqit në Kosovë mund t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore, gjë që do t’u mundësojë atyre uljen e rrezikut nga faktorët klimatikë dhe mbrojtjen e investimeve të tyre. Sigurimi i bujqësisë gjithashtu fermerëve u ofron vazhdimësi të veprimtarisë, gjë që çon në të hyra më të qëndrueshme për fermerët dhe ndihmon në ngritjen e eksportit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e huamarrjes për këtë sektor”, tha ministrja e Bujqësisë, Dijana Ziviq.

Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit ndërmjet Grupit të Bankës Botërore dhe MBPZHR-së, për ta mbështetur zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.

“Sigurimi i bujqësisë është një komponentë thelbësore për ta bërë sektorin e bujqësisë më konkurrues, për ta forcuar mjedisin e përshtatshëm, dhe për t’i rritur aftësitë teknike në mënyrë që të ndihmohet në uljen e rrezikut. Sistemi i ri i sigurimit të bujqësisë do të ndihmojë në rritjen e besimit për sa i përket huadhënies për bujqësi, dhe kjo do të ndihmojë pastaj në rritjen e produktivitetit dhe profitabilitetit në Kosovë”, tha Leah Soroka, menaxhere e Programit të agro-financimit për Evropë dhe Azi Qendrore e IFC-së.

Projekti i agro-financimit për EAQ i IFC-së, në partneritet me Ministrinë e Financave e Austrisë dhe Bankën Hungareze Eksport-Import, ka për synim rritjen e qasjes në financa për sektorin e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Azi Qendrore dhe Azerbajxhan.

Kosova u bë anëtare dhe aksionare e IFC-së në vitin 2009. Që nga atëherë, IFC-ja ka investuar dhe mobilizuar 391 milionë dollarë në vend përmes pesë projekteve në sektorë të ndryshëm. Shërbimet këshilluese të IFC-së në Kosovë synojnë ta përmirësojnë klimën e investimeve dhe procedurat e falimentimit, të mbështesin kompanitë në sektorin privat, dhe të tërheqin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve infrastrukturore. /Gazeta Ekonomia/