Search

Imeri: ATK-ja për 18 vjet mblodhi 5.2 miliardë euro

Në tetëmbëdhjetëvjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), drejtori i saj Sakip Imeri u mburr me sukseset e arritura të institucionit që drejton.

Ai tregoi sa para ka mbledhur ATK-ja gjatë ekzistimit të saj nga tatimet dhe kontributet.

“Për 18 vjet janë mbledhur 5.2 miliardë euro, nga të cilat 3,8 miliardë janë tatime dhe 1.4 miliardë janë kontribute pensionale”, tha Imeri.

Ai foli edhe për historinë e Administratës Tatimore të Kosovës.

“ATK është themeluar më 17 janar 2000. Ka filluar punën Me 30 punëtorë tani ka rreth 700 punëtorë. Administrata ka përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me doganën, policinë, prokurorinë dhe ministritë e tjera”, tha Imeri.

I pranishëm në 18 vjetorin e ATK-së ishte edhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se paratë e mbledhura nga ATK-ja përdoren në shumë fusha të jetës.

“Ne mbledhim nga tatimpaguesit për qëllime madhore. Ne mbulojmë të gjitha ato aspekte të jetës të cilat pikërisht janë me rëndësi për taksapaguesit. Nëse është sipërmarrës i zoti ne jemi përgjegjës për të krijuar të gjitha parametrat në mënyrë që të ketë një zhvillim të suksesshëm”, tha Haradinaj.

Ndërsa, Sakip Imeri përmendi edhe nderimin me mirënjohje të 15 tatimpaguesve më të mirë për të cilët tha se buxhetit të Kosovës i sollën 59.9 milionë euro tatime dhe kontribute pensionale.

LEXO: ATK do të publikoj listën e borxhlinjve tatimor

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se në shënimin e përvjetorit të ATK kemi arsye që të jemi krenarë.

“Nga perspektiva e së ardhmes, na pret një punë shumë më e madhe, orientimet tona strategjike, transformimi i ATK-së në një administratë moderne të orientuar nga biznesi, luftimi i ekonomisë joformale”, tha Hamza.

Ministri konstatoi se ATK duhet të jetë e përgatitur për të arritur këto objektiva për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit. /Kallxo