Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Inflacioni vjetor në Kosovë për muajin tetor arrin në 2.2 për qind

Inflacioni mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në tetor 2019 ishte e pandryshuar krahasuar me muajin shtator 2019, ndërsa shkalla vjetore e inflacionit arrin në 2.2 për qind.

Kështu thuhet në raportin ‘Indeksi i Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, tetor 2019’, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Përkundër mosndryshimit në muajin tetor 2018 të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, krahasuar me muajin shtator 2019, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve. Ngritje e çmimeve vërehet te perimet me 0.6 për qind, ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 0.7 për qind, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 0.8 për qind dhe blerje e automjeteve me 2.3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në indeks. Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve me 1.1 për qind, pemë me 7.4 për qind dhe shërbimet për transport me 2.4 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në indeks.

Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2019 me muajin tetor 2018 ishte 2.2 për qind.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 11.8 për qind, mishi me 2 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 1.6 për qind, vajrat dhe yndyrat me 3.1 për qind, pemët me 3.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsira me 2.7 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 10.3 për qind, ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 1 për qind, duhani me 2.7 për qind, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera me 0.9 për qind, mobilet, qilima dhe mbulesa dyshemeje të tjera me 1.2 për qind, pajisjet shtëpiake me 1.6 për qind, qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës me 4.4 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 2.9 për qind, shërbimet ambulantore me 1.7 për qind, blerjet e automjeteve me 3.7 për qind, shërbimet telefonike dhe të telefaksit me 0.9 për qind, shërbimet për strehim me 4.6 për qind dhe gjërat personale me 3.7 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.5 për qind në indeks.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të perimeve me 4.5 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal me 1.4 për qind, shërbimet për transport me 3.3 për qind dhe pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave me 3.1 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve.