Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Inovacioni, ndër faktorët kryesor të zhvillimit ekonomik

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temë ‘Inovacioni dhe Zhvillimi Ekonomik’ u diskutua rreth inovacionit dhe ndikimeve të tij në zhvillimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci vlerësoi se inovacioni është faktori kryesor i ndryshimeve të ritmit të zhvillimit ekonomik në vend, duke shtuar se të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të orientohen drejt mobilizimit të kapitalit njerëzor për faktin që sot teknologjia e informacionit nuk është pjesë e ekonomisë, por tranformues i të gjitha fushave të ekonomisë, sistemeve politike dhe shoqërisë.

Stavileci bëri të ditur që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përfshirë në agjendë krijimin e një fondi me anë të së cilit do të financohen bizneset e reja dhe ato ekzistuese si dhe bizneset e orinetuara në eksport duke shtuar se Kosova në një të ardhme afat mesme do të ketë edhe Ministrinë e Inovacionit.

Era Jashari, Zyrtare për Marëdhënie me Qeverinë  tha se inovacioni mbi të gjitha përfshin procese të reja, sisteme të reja të biznesit e metoda të reja të menaxhimit të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në rritje të produktivitet e rrjedhimisht në zhvillim ekonomik, ndërsa Vanesa Gashi nga Zyra për Komunikime e Odës Amerikane prezantoi të gjeturat e anketës mbi inovacionin, të kryer me anëtarët e Odës Amerikane, ku mes tjerash u vlerësua se ofrimi i lehtësirave dhe diskutimi më i madh politik në promovimin e inovacionit përmes stimujve monetar dhe jomonetar si dhe qasja në kredi për bizneset e reja janë të domosdoshme për të nxitur investimet në inovacion.

Arben Ymeraga nga kompania ‘Melita & Partners’, tha se mbështetja institucionale dhe promovimi i inovacionit janë të rëndësishme për rritjen e biznesit, duke theksuar se angazhimi i qeverisë është i domosdoshëm në këtë aspekt.

Drenusha Shala themeluese e kompanisë Baruti diskutoi rreth rëndësisë së zhvillimit të inovacionit në Kosovë dhe përvojës së saj si ndërmarrëse. Ajo theksoi se edhe pse në Kosovë ka vende të lira të punës, mungesa e njerëzve të kualifikuar profesionalisht paraqet problem kyç në punësim.

Ndërsa, Rron Cena njëri ndër themeluesit e kompanisë ‘Formon’, vlerësoi se baza themelore e zhvillimit të inovacionit në vend është edukimi dhe aftësimi profesional, në mënyrë që këto aftësi të përmbushin kërkesat e tregut.