Search

Investimet në Shqipëri më të ulëta sesa planifikimi

Vendimi i qeverisë që kufizon prokurimet ka vënë në vështirësi realizimin e investimeve publike. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se edhe pse krahasuar me një vit më parë investimet kanë shënuar rritje, ato janë 15.9 për qind më të ulëta sesa plani.

Për periudhën janar-gusht të këtij viti, qeveria kishte programuar të investonte 41.4 miliardë lekë. Por, sipas Ministrisë së Financave, nga këto u realizuan vetëm 34.8 miliardë lekë.

Të dhënat e detajuara tregojnë se i gjithë mosrealizimi vjen nga investimet e brendshme, ndërsa projektet me financim të huaj, që preken më pak nga kufizimi i tenderave, kanë një ecuri në përputhje me planin.

Investimet publike patën një ritëm të vrullshëm gjatë fushatës elektorale. Por pas zgjedhjeve, realizimi i tyre është ngadalësuar ndjeshëm. Në fund të majit, pas marrëveshjes politike mes Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të opozitës Basha, qeveria miratoi një vendim, i cili kufizoi tenderët publikë.

Fillimisht, kufizimi ishte parashikuar deri në fund të fushatës elektorale, por pas zgjedhjeve, qeveria e zgjati afatin e tij deri në një datë të pacaktuar, sipas saj për të mos lejuar abuzimet gjatë tranzicionit politik.

Vendimi, i cili është ende në fuqi, i lejon autoritetet kontraktuese të hapin vetëm tenderat emergjentë dhe ato që marrin miratimin e Kryeministrit. /Top Channel