Search

Kalorësi i betonit dhe i të varfërve

Dje në mbrëmje, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dha një dëshmi të raportit psikologjik të rënduar që ai ka vendosur me median dhe në përgjithësi me ata që ngrenë zërin për çështje që janë përgjegjësi e institucionit që ai drejton. Në emisionin ‘Opinion’ ku ishte i ftuar të fliste për kullat, Veliaj tentoi ta transferonte diskutimin në një tonalitet luftarak, ku ai, si ‘fytyra e kalorësit të vrerosur’ është kundër të gjithëve, sidomos mediave, për zhvillimin e Tiranës, të cilin jo të gjithë e kuptojnë.

Një raport i përmbysur diskutimi, për faj kjo edhe të moderatorëve të emisionit, që i japin mundësinë një personi të zgjedhur, që është aty për të dhënë llogari, të sulmojë dhe të akuzojë këdo që i del para. Veliaj është person me përgjegjësi publike. Ai është akuzuar në media për ngjarje të rënda, si vdekjet e Ardit Gjoklat dhe Mirvete Dukës, por këto po duken detaje minore përkundrejt projektit të kullëzimit të Tiranës.

Është më se normale që për këtë shpërfytyrim të kryeqytetit, projektuar në padijeni të plotë të qytetarëve, Veliaj të vihet para përgjegjësisë së pyetjeve. E kundërta ndodhi dje. Kryetari i Bashkisë u numëronte gazetarëve shtëpitë ku jetojnë, kullat ku banojnë për të mbrojtur tezën e tij më të fundit, alibinë false të falimentit moral të gazetarisë shqiptare.

Por edhe djalli bën pyetje të vështira dhe madje shumë të vërteta dhe askund në librat e shenjtë nuk lexojmë që Zoti t’u bishtnojë atyre. Nga kjo premisë e pavërtetë morale të cilën kërkon ta suvatojë me ulërima Kryetari i Bashkisë, mund të kërkojmë me ngulm përgjigje për pyetje që janë sfiduese pavarësisht se kush i bën.

Pse po ndërtohen kullat? Cili është efekti i tyre për Tiranën? A cenohet interesi publik dhe memoria e qytetit? Dhe sidomos më kryesorja – kemi të bëjmë me vizion për zhvillim, apo një lobim interesash?

Veliaj sot ka në dorë edhe gurin edhe arrën. Ai është aty ku është si lojtar i ri në skakierë, por edhe si ushtar i kryeministrit, që ka bindur veten se interesat e tij ekonomike dhe trillet prej artisti, t’i kultivojë si projekte për zhvillim dhe transformim.

Kurajo e Veliaj për të mbrojtur duke akuzuar gazetarët dhe mediat projekte miliona euroshe, buron pikërisht nga kjo konveniencë politike e cila ka në tepsinë e parasë edhe opozitën. E cila po hesht për kullat.

Argumenti se Tirana po zgjerohet me popullsi, nuk përligjet nga projeksionet e INSTAT. Tregu i ndërtimit nuk po njeh atë bum që kishte në vitet 2001-2008 dhe mbi të gjitha, ndërtimi i kullave, megjithë rritjen e tatimit me të cilin mburret Veliaj nuk janë një zgjidhje e mirë sociale. Kullat në qendër shtojnë çmimin e çdo shërbimi në zonë dhe kështu në finale do të kemi instalim të pabarazisë në një qytet që është shumë i vogël për të krijuar thyerje të tilla sociale.

Kritika dhe akuza nga mediat mund të jenë instrumentale, mes tyre mund të gjesh edhe përpjekje për gjobë, por këtu nuk po flasim për një tender që zhvillohet në kundërshtim me rregullat. Këtu po ndahet e ardhmja e një qyteti vizioni i zhvillimit të të cilit po bëhet i qartë me kufijtë e një periferie të margjinalizuar dhe një qendre luksi që përfaqëson çdo lloj paraje. Zotëria që ulëret dhe flet për faliment moral po vendos firmë në një projekt që mund të hedhë farën e një konflikti social që sot mund të jetë i fjetur.