Search

A i kemi shndërruar dhe sistemet ekonomiko-sociale?

Shqipëria ka kaluar disa regjime pushteti në gati 110 vitet e ekzistencës së saj, ndërsa sa i përket sistemeve ekonomiko-shoqëror e ka përshkruar më shumë zhvillimin e saj përmes ekonomisë së komanduar dhe prej gati tre dekadash me ekonominë e tregut të lirë. Rezultati është i dhimbshëm: siç duket shumë shtete nuk kanë histori shetërore më të vjetra ose të themi dhe ato që janë vetëm pak më të vjetra gjenden shumë e shumë më përpara sa i përket zhvillimit ekonomiko-shoqëror. Ashtu si ndodh me ne, faji u ka mbetur paraardhësve, një fenomen që se kemi adresuar asnjëherë llogjikisht por kurdo e pa mëshirë dhe duke fshirë gjithçka që është arritur më parë tek të tjerët.

Për një shtet mënyra sesi funksionon struktura e brendshme e tij lidhet me sistemin ekonomik të zgjedhur dhe vetë kjo e fundit është e lidhur me individët dhe organizmat e krijuara, të cilat ndërveprojnë me qëllimin për të përmbushur nevojat e shoqërisë nëpërmjet shfrytëzimit të burimeve të ndryshme në vend. Të flasësh për burimet e Shqipërisë nuk është temë e këtij shkrimi, por se nuk duhet lënë pa përmendur se ato janë të pasura nga të gjitha anët.

Zakonisht pyetjet themelore të ekzistencës, që shtrohen para çdo regjimi, janë bazike dhe zgjidhja e tyre sa më racionale tregon seriozitetin e një ekipi qeverisës me vendin e vet, por nga ana tjetër edhe pjekurinë e shteteve. Dhe, pyetja themelore është të dish dhe të identifikosh burimet që ka vendi yt dhe se çfarë mund të realizojë me to për mirëqenien e të gjithë banorëve të vet. Po ashtu, bazike është sesa e mundshme është t’i shfrytëzosh burimet me mjetet që ke ngritur, projektuar dhe trashëguar, sa duhet të prodhohet, cilët do t’i konsumojnë dhe si do shpërndahet prodhimi dhe shërbimet ndër bashkëvendasit.

Sistemi socialist shqiptar e zgjidhi të gjithë këtë me planet pesë-vjeçare, që shpalleshin në kongrese dhe në dukje detyrat që vendosën qeveritarët e kohës ishin shumë racionale. Për hirë të së vërtetës janë ndërtuar gjëra që ndikuan në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Në atë organizim gjithçka e kishte ekzekutivi, që ishte nën urdhrin de facto të Partisë së Punës, madje kjo e fundit e shpallte gjithçka në organizimet e saj. Strukturat e Partisë së Punës dhe ekzekutivi kontrollonin burimet, punën por edhe përdorimin, përgatitjen e kuadrove dhe mënyrën sesi ky prodhim shkonte për njerëzit. I gjithë qerthulli rezultoi më së shumti i gabuar sepse kërkesën nuk e drejtonte konsumatori i zakonshëm por drejtuesit, që u shkëputën krejt nga realiteti. Kjo ndodhte që për materiale që duheshin në treg të kishte mungesa të mëdha, kurse ato që nuk duheshin të mbushnin magazina!

Shqiptarët ishin në një sistem që e modifikuan në kuptimin e vërtetë në mënyrën më të shëmtuar dhe duke bërë eksperimente që nuk i bëri asnjë vend i kampit socialist, që e aplikoi këtë sistem. Sistemi nxori në fund një grup të privilegjuarish, që pothuaj nuk dinin asgjë për jetën e njerëzve dhe që kishin vetëm kopertinë socialiste por që ishin mirëfilli sundues. Socializmi shqiptar ishte aq absurd sa që normat e veta nuk përkonin asfare me sistemin ekonomik. Modifikimi që i bënë shqiptarët lidhej me kalimin në një model ekonomik-social krejt të huaj për ta por edhe të diktuar frikshëm në një strukturë që nuk e mbante dot.

Ashtu si merrej me mënd, në fund të viteve ’80-ta, sistemi ishte krejt i falimentuar dhe përçudnimi që i shqiptarët i bënë sistemit, ashtu si edhe vetë mosreformimi i tij në kohën e duhur, e bënë Shqipërinë të përfundonte në kolaps. Ashtu si shumë nga vendet e Lindjes që sistemin e kishin më të kontrolluar por edhe krejt më liberal, Shqipëria u fut në ekonominë e tregut të lirë me një deficencë të theksuar të kulturës ekonomike, por edhe me eksperimente të reja shkatërrimtare.

Terapia zero e katandisi vendin në një gërmadhë të madhe, ku u deshën vite e vite për ta mëkëmbur vendin, por asnjëherë ashtu si duhet. Çështjet kryesore të një ekonomie racionale filluan të kërkonin zgjidhje në realitetin shqiptar, ku shqiptarët për herë të parë kuptuan ndërthurjen e kërkesës me ofertën.

Qeveria shqiptare është e vërtetë që është gjithnjë e më shumë e distancuar, anipse procesi që ka bërë i privatizimit është pothuajse katastrofik. Tashmë privati, jo pak herë ngritur në forma të errëta, pothuaj zotëron gjithçka dhe shteti ndërhyn shumë dobët në ekonomi për të qenë një arbitër i drejtë. Megjithatë, edhe në ato pak ndërhyrje, shteti s’ka qenë aq shumë rezultativ.

Sot, Shqipëria trashëgon një spirale pozitive të rritjes ekonomike, por me një borxh të brendshëm dhe të jashtëm aspak pozitiv. Në fakt, ndërhyrja e shtetit shqiptar nuk është ndërhyrje si ajo që bëhet në vendet më të zhvilluara kapitaliste, ndërsa publiku shpesh e ka kërkuar ndërhyrjen e saj për të zbutur plagë reale sociale. Por si i përgjigjet shteti shqiptar? Në shumë momente, shikon një ndërhyrje që nuk është aspak miqësore dhe diferencat e sotme të klasave të shoqërisë shqiptare është flagrant.

Modeli shqiptar i ekonomisë së tregut ka ndikuar në një shpërndarje të çrregullt të të ardhurave dhe të pasurisë së përbashkët ekonomike. Ajo ka sjellë varfërimin e mëtejshëm të të varfërve, duke përqendruar pasurinë në duart e një pakice të pasurish dhe duke lënë një pjesë jo të pakët të popullsisë pa burimet më të mjaftueshme së të ardhurave për të jetuar. Modeli shqiptar dhe regjimi që e ka drejtuar atë ka qenë nga më të padrejtët në historinë e ekzistencës së shtetit, duke ndihur frikshëm të pasurit dhe kryesisht marifetçinjtë.

Dhe, klasa politike shqiptare me programet politike dhe premtimet ka treguar se nuk e ka merituar besimin e zgjedhësve të saj. Ne jemi dëshmitarë se bizneset dhe individë të ndryshëm prevalojnë mbi politikat edhe sot arrijnë të jenë deri pjesë e politikave tatimore, subvencionuese me synimin për përfitimin ekonomik dhe ndikimin direkt në treg. Shqiptarët e kanë modifikuar edhe këtë sistem për ta përçudnuar vetë kapitalizmin duke përfituar një pakicë në kurriz së të varfërve por edhe mbi atë të klasës së mesme.

Rasti i Shqipërisë ka treguar se edhe ekonomia e tregut të lirë në kuptimin e lirisë nuk ekziston në parametrat që duhen, kurse ne mbetemi ende në mëshirën e politikave shtetërore që mund të rregullojnë disi mirëqenien tonë të munguar shoqërore. Fatkeqësisht, drejtuesit tanë bëjnë më shumë luftë mes partish për të treguar kahun e ‘Majtë’ apo të ‘Djathtë’, ani pse sistemi ynë i ngjan një të tilli, fare të zakonshëm në Ballkan, që afrohet jo pak dhe me sistemin e komanduar të dikurshëm pasi shumë nga politikanët drejtojnë vetë biznesin e tregut të lirë!

Në një vend të emancipuar shteti është pika kryesore e ndryshimeve në sistemin shoqëror në atë formë që tregu i lirë të mundësojë një lloj niveli konkurrimi të ndershëm dhe një jetë me mundësi të barabarta për qytetarët. Por, kjo nuk ndodh, sepse të paktën në rastin tonë shqiptarët e kanë modifikuar edhe sistemin e tregut të lirë, në një sistem për t’i dhënë jetë makutërisë së pak njerëzve. E ky nuk quhet sistem i ekonomisë së lirë të tregut, por anarki ekonomike. /Gazeta Ekonomia/

Autor: Ben Andoni