Kërkesa e vetme e studentëve

Protesta e studentëve ka arritur në ditën e shtatë të saj. Ajo filloi me një kërkesë të thjeshtë për shfuqizimin e një VKM-je që parashikonte një tarifë shtesë për provimet përsëritëse. Por, tashmë po shndërrohet në një agorë gjithëpërfshirëse për të gjitha problemet e studentëve në Shqipëri. Pasi kërkesa e parë u arrit me sukses dhe pasi studentët kuptuan se mund t’ia dilnin, grupe të ndryshme të studentëve nxituan të shtonin edhe pika të tjera.

Në portalet online dhe rrjete sociale qarkullojnë disa kërkesa të ndryshme drejtuar Universiteteve, Ministrisë së Arsimit, Kuvendit dhe Kryeministrit që lidhen me probleme të arsimit të lartë në vend. Ajo që bie në sy është se përmbajtja e këtyre kërkesave shpesh është e ndryshme dhe konfuze në atë që kërkohet të arrihet. Kjo reflekton disi edhe diversitetin e grupeve të studentëve që protestojnë në atë shesh, ku secili prej tyre kërkon zgjidhje për ‘hallet’ e tij.

Megjithatë, pavarësisht kësaj larmishmërie, ajo që i përbashkon të gjitha këto kërkesa është ligji për arsimin e lartë i vitit 2015. Qysh në kohën kur ky ligj u miratua, ai u shoqërua me kundërshti të forta nga studentët, pedagogët dhe shoqëria civile. Dy ndër kritikat më të zëshme ishin: klientelizmi që synonte t’i shërbente disa pronarëve të universiteteve private dhe politizimi i strukturave të reja. Megjithatë, qeveria vendosi ta miratojë ligjin për arsimin e lartë.

Por, sikur kritikat e para të mos mjaftonin, ky ligj u shoqërua më pas me probleme të shumta në implementimin e tij. Aktet nënligjore – të cilat do të garantonin zbatimin e tij – dolën jashtë çdo afati të parashikuar nga ligji. Nga ana tjetër, pati një mungesë vullneti nga institucionet e arsimit të lartë për të reflektuar në aktet e tyre të brendshme (statute, rregullore) ndryshimet e reja ligjore. Po ashtu, ky ligj nuk ia doli të jepte zgjidhje për problemet që studentët dhe pedagogët ndeshnin në përditshmërinë e tyre.

Ligji për Arsimin e Lartë është arsyeja pse studentët në vend që të ishin në auditoret e universiteteve, janë sot në rrugë. Problemet dhe kërkesat e tyre kanë një pikëtakimi, e cila duhet të përbashkojë kërkesat e të gjithë grupeve. Prandaj, nëse studentët kërkojnë ta shkulin problemin nga rrënjët dhe jo të ‘krasisin’ degët, duhet të kenë një kërkesë të vetme: shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Shfuqizimi i këtij Ligji minimalisht do të ketë tri efekte pozitive. Së pari, e detyron qeverinë të pranojë përgjegjësinë për dështimin në arsimin e lartë. Së dyti, krijon mundësi për të hapur një debat të vërtetë për problemet e arsimit të lartë. Dhe së treti, një ligj i ri – i hartuar me studentët, nga ata dhe për ta – ndërton premisa reale për t’u dhënë zgjidhje efektive shqetësimeve të studentëve.

Çdo gjë më pak se kërkesa për shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë dhe hartimi i një ligji të ri, ku të garantohet se zëri i studentëve do të dëgjohet, do të ishte humbje për këta të fundit. /Exit/

0 Reviews

Write a Review

Read Previous

Kanadaja kërkon mbi një milion imigrantë

Read Next

Brenda Bashkimit Evropian me aeroplan udhëtuan mbi një miliard pasagjerë