Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal publikon thirrjen e tretë për grante për zhvillimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor

Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC) ka publikuar thirrjen e tretë për propozime për dhënien e granteve për zhvillimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e projektit për ‘Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit’, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.

Vlera totale e thirrjes së tretë për propozime është 320 mijë euro, që do të përdoren për të financuar deri në 7 projekte të ndryshme.

“Rreth 12 milionë turistë e vizitojnë rajonin çdo vit duke sjellë më shumë të ardhura dhe vende pune. Ne duam që këto shifra të rriten që rajoni ta shfrytëzojë tërësisht të gjithë potencialin që ka si destinacion turistik. Gjatë katër viteve të fundit të gjitha ekonomitë e rajonit kanë raportuar jo vetëm numra më të shumtë vizitorësh të huaj, por edhe më shumë natë që ata kalojnë këtu tek ne. Megjithatë shumica e këtyre vizitave vazhdojnë të ndodhin kryesisht gjatë sezonit të verës. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë që sezoni turistik të shkojë përtej muajve të verës në të gjithë kohëzgjatjen e vitit, pasi ekonomitë e rajonit kanë shumë për të ofruar edhe gjatë stinëve të pranverës, vjeshtës dhe dimrit”, tha Snjezana Derviskadiq, udhëheqëse e projektit të turizmit tek RCC-ja.

“Kjo thirrje e tretë për propozime projektesh është e hapur për autoritetet vendore, OJQ-të dhe organizatat jofitimprurëse nga Ballkani Perëndimor dhe do të përqendrohet tek përmirësimet e mëtejshme në infrastrukturë dhe në cilësinë e shërbimeve përgjatë katër zonave të përbashkëta të turizmit kulturor dhe të aventurës në rajon: Kryqëzimi i Qytetërimeve, Shtegu ‘Ilirikum’, Shtegu i Monumenteve të Ballkanit, si edhe Rruga Dinarika, së bashku me korridoret e tyre plot me aventura dhe kulturë”, shton Derviskadiq.

Në segmentin e aventurës, RCC-ja synon të financojë aktivitete që do të përmirësojnë fluksin e vizitorëve, përfshirë shënjimin digjital dhe fizik të shtigjeve, zhvillimin dhe promovimin e shtigjeve të reja tematike dhe novatore të aventurës, si edhe përfshirjen e ofruesve të ofruesve vendor të shërbimeve nga zonat rurale në zinxhirin e turizmit. Një aktivitet tjetër është edhe organizimi i festivaleve rajonale të aventurës apo të sporteve në hapësira të hapura.

Ndërsa në aspektin kulturor, grantet do të përdoren për të zhvilluar rrëfimin dhe përmbajtjen ndërvepruese dhe autentike në vende përkatëse që do të angazhojnë vizitorët që udhëtojnë në zonat kulturore rajonale, si edhe për të përmirësuar fluksin e turistëve nëpërmjet instalimit të shenjave dixhitale, promocionale, drejtuese dhe interpretuese.

Afati përfundimtar për dorëzimin e Dokumentit të Konceptimit të Projektit është data 9 dhjetor 2019. Kjo është thirrja e fundit për propozime që publikohet si pjesë e projektit ekzistues të RCC-së për turizmin. Numri total i granteve që janë dhënë gjatë dy thirrjeve të mëparshme është 28.