Search

Kolapsi i projektit të Evropës

A po dështon Evropa? Ka shumë të dhëna që sugjerojnë një gjë të tillë, që nga grindjet konstante për kontributet në NATO, te marrëveshjet e shumta të paplota për rregullimin e migracionit, e deri te shenjat e rritjes së autoritarizmit në Evropën Lindore.

Po, Evropa ka dështuar vazhdimisht në 70 vitet e kaluara dhe këto dështime kanë qenë themeli i suksesit të saj. Por gjërat sot janë ndryshe. Zhurma e sotme nuk është thjesht një ftesë për një dështim të saj në kupolë. Është tingulli i Evropës që kërcënohet të shpërbëhet tërësisht.

Tri versione të ndryshme të Evropës konstituojnë atë Evropë të vetme që njohim sot: Evropa e pasluftës që kujton tmerret dhe shkatërrimin e Luftës së Dytë Botërore, Evropa që dikur jetonte me frikën konstante dhe vendosmërinë për të parandaluar luftën e radhës – atë bërthamore – e cila do të ishte lufta e fundit. Pikat e errëta të Evropës së pasluftës u bënë të dukshme në vitet 1990 me rënien e Jugosllavisë në kaos, pavarësisht besimit dominues se një luftë e madhe nuk ishte më e mundshme në kontinent.

Evropa e pasluftës sot po dështon sepse për brezat më të rinj, Lufta e Dytë Botërore është histori antike.

“Ne jemi në fundin e historisë, kur e shkuara nuk ka më rëndësi për të tashmen”, kishte të drejtë Francis Fukuyama.

Në rastin më të mirë, brezat më të rinj të Evropës kanë përthithur pasivisht mësimet e historisë ndërkohë që kanë dështuar në të menduarit në mënyrë historike. Në epokën e internetit, shteti po ashtu ka humbur shumë nga monopoli i vet mbi arsimin qytetar – një nga paradokset e revolucionit në teknologjitë e komunikimit është se ndësa brezi i ri komunikon shumë më intensivisht sesa brezi paraardhës, ky komunikim zhvillohet kryesisht mes kolegëve. Diskutimi konstant në internet nuk ndihmon kur vjen puna te transferimi i përvojës së brezave të mëparshëm.

Dy faktorë të tjerë minojnë fuqinë bashkuese të kujtimeve të Luftës së Dytë Botërore në Evropën e sotme. Së pari, brezi i të mbijetuarve tashmë thuajse nuk jeton më dhe së dyti, për shumë nga refugjatët dhe migrantët që vendosen në shoqëritë evropiane nga jashtë në kontinent, Lufta e Dytë Botërore nuk është lufta e tyre. Kur i referohen ‘luftës’, refugjatët sirianë nënkuptojnë shkatërrimin e Alepos dhe jo shkatërrimin e Varshavës apo të Drezdenit.

Evropa e pasluftës po dështon edhe sepse shumica e evropianëve vazhdojnë ta marrin paqen për të mirëqenë, ndërkohë që bota po kthehet në një vend të rrezikshëm dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të llogaritet më se i intereson mbrojtja e Evropës.

Këmbëngulja e Brukselit se ajo çfarë ka rëndësi është fuqia e butë, ndërsa fuqia ushtarake është e tejkaluar, ka nisur të tingëllojë jobindëse edhe tek ata që e deklarojnë një gjë të tillë. Në këtë mënyrë mendimi i Evropës së pasluftës është kthyer në pjesë të brishtësisë së saj më tepër sesa një avantazh. Evropa e pasluftës sot nuk do të thotë më një Evropë si fuqi e paqtë, do të thotë një Evropë që është e paaftë të mbrojë veten, rrokja e këtij realiteti të ri do të jetë veçanërisht e dhimbshme në Gjermani.

Por ka edhe një tjetër Evropë që po dështon. Evropa si një projekt i pas vitit 1968, Evropa e të drejtave të njeriut dhe sidomos Evropa e të drejtave të pakicave. Ndikimi i fuqishëm i ngjarjeve të 1968-së në mendjen evropiane është përkufizuar nga konkluzioni i përhapur gjerësisht, pavarësisht viteve të revolucioneve dhe paqëndrueshmërisë, se shteti është diçka që i përkufuzon qytetarët, por gjithashtu edhe i kërcënon ata. Arritjet e pabesueshme të protagonistëve të vitit 1968 ishte se ato i bënë evropianët të perceptojnë shtetin me sytë e grupeve më të ekspozuara dhe të persekutuara të shoqërive të tyre. Kjo kthesë revolucionare në mënyrën sesi evropianët ndiheshin për botën dhe rolin e tyre në të, ishte kryesisht rezultat i procesit të dekolonializimit, por gjithashtu i zgjerimit botëror të imagjinatës demokratike. Nëse Evropa e pas 1968-së do të përkufizohej nga një fjalë, kjo fjalë është “përfshirja”.

Por kjo Evropë e pas 1968-së është po ashtu në pikëpyetje sot. Ndryshimet dramatike sociale dhe demografike që shndërruan shoqëritë evropiane në dekadat e fundit kërcënon shumicat – ata që kanë gjithçka, pra ata që kanë frikë për gjithçka, e që përbëjnë forcën kryesore në politikën evropiane. Shumicat e kërcënuara tani shprehin frikën e vërtetë se ata po bëhen humbës të globalizimit dhe sidomos humbës të lëvizjes së intensifikuar të njerëzve që e shoqëron të parën.

Karakteristika përkufizuese e politikës së shumicave të kërcënuara shfaqet kur ato votojnë, ata e bëjnë këtë duke imagjinuar një të ardhme ku ata do të jenë pakicë në vendin e tyre, ku kultura dhe stili i jetës së tyre do të vihet në rrezik. Do të ishte një gabim i madh politik nëse liberalët thjesht do të injorojnë apo ridikulizojnë këto frikëra. Në politikat demokratike, perceptimet janë i vetmi realitet që ka rëndësi.

Shumë nga lëvizjet politike që po fitojnë popullaritet sot, i referohen shumë të drejtave të shumicave dhe sidomos të drejtave kulturore të tyre. Shumicat këmbëngulin se ato kanë të drejtën të vendosin se kush i përket komunitetit politik dhe të mbrojnë kulturën e tyre të shumicës. Në këtë kuptim, kriza e migrimit e vitit 2015 ishte një pikë kthese në mënyrën sesi publiku evropian e sheh globalizimin. Ajo shënoi fundin e Evropës së pas 1968-së, ashtu edhe dështimin e një farë ideje për Evropës së pas 1989-së, siç e dëshmojmë sot prishjen e atij që dikur ishte një konsensus përbashkues. Është simptomatike se ndërsa sondazhet tregojnë se anëtarët e brezave më të rinj në Evropë janë shumë më tolerantë kur vjen puna te të drejtat e pakicave seksuale, nuk ka ndonjë diferencë domethënëse mes brezave kur vjen puna në perceptimin e emigrantëve joevropianë si kërcënim.

Kriza e refugjatëve ishte 11 shtatori i Evropës. Në mënyrën sesi 9/11 e shtyu Amerikën të ndryshonte optikën përmes të cilës amerikanët shohin botën, po ashtu kriza e emigrantëve i detyroi evropianët të marrin në pyetje disa nga aksiomat kritike të sjelljes së tyre të mëparëshme ndaj globalizmit.

Kriza e emigrimit çoi po ashtu në vënien në pikëpyetje të realitetit të një Evrope të bashkuar të pas 1989-së, jo thjesht sepse Perëndimi dhe Lindja e Evropës morën pozicione shumë të ndryshme në raport me detyrimet e tyre në kontesktin e krizës së refugjatëve, por sepse ajo zbuloi ekzistencën e dy Evropave shumë të ndryshme kur flitet për diversitetin etnik dhe kulturor, si dhe çështjet e migracionit.

Një nga ironitë e historisë është se, nëse në fillim të shekullit të XX-të, Evropa Qendrore dhe Lindore ishte pjesa më diverse e kontinentit, sot ajo është ekstremisht homogjene në planin etnik. Ndërkohë, që Evropa e sotme Perëndimore është e shqetësuar nga çështjet sesi të integrojë numrin përherë e në rritje të të huajve që jetojnë në të, shumica nga vende me shoqëri dhe kultura shumë të ndryshme, Evropa Qendrore është e shqetësuar me sfidën e frenimit të ikjes së të rinjve në Perëndim. Ndërkohë që Perëndimi lufton për përballjen me diversitetin, Lindja lufton për të përballur depopullimin.

Për të imagjinuar shkallën e problemit na ndihmojnë disa të dhëna. Në periudhën mes viteve 1989-2017, Letonia humbi 27 për qind të popullsisë së vet, Lituania 23 për qind dhe Bullgaria 21 për qind. Ndërthurja e plakjes së popullsisë, ritmit të ulët të lindjeve dhe një fluksi të pandalshëm të emigrimit jashtë përbën burimin kryesore të panikut demografik në Evropën Qendrore dhe Lindore, edhe pse kjo shprehet politikisht përmes histerisë kundër refugjatëve që nuk duken gjëkundi në rajon. Në realitet, më shumë evropiano-lindorë lanë vendet e tyre drejt Evropës Perëndimore si pasojë e krizës financiare të vitit 2008 se sa ishte numri u sirianëve që mbërritën në Evropë për shkak të luftës në Siri.

Në fund fare gjithësesi, ajo që është në zemër të rritjes së rrymave joliberale në Evropën Qendrore nuk është migrimi i ekzagjeruar, por një refuzim i asaj që unë e quaj imitim imperativ.

Për dy dekada pas vitit 1989, filozofia politike e Evropës Qendror dhe Lindore postkomuniste mund të përmblidhet në një imperativë të vetme: imito Perëndimin! Procesi është quajtur me emra të ndryshëm – demokratizim, liberalizim, zgjerim, konvergjencë, integrim, evropianizim – por qëllimi i ndjekur nga reformatorët postkomunistë ishte i thjeshtë, ata dëshironin që vendet e tyre të bëheshin si Perëndimi. Kjo përfshinte importimin e institucioneve liberale-demokratike, aplikimin e recetave ekonomiko-politike perëndimore dhe mbështetja publike e vlerave të Perëndimit. Imitimi u kuptua gjerësisht si shtegu më i shkurtër drejt lirisë dhe prosperitetit.

Evropa nuk ishte më e ndarë mes komunistëve dhe demokratëve. Ishte e ndarë mes imituesve dhe të imituarave. Por ndjekja e reformave ekonomike dhe politike që imiton një model të huaj ka më shumë dobësi morale dhe psikologjike sesa mund të pritej në fillim. Jeta e imituesit përzien në mënyrë të pashmangshme ndjenja të pamjaftueshmërisë, inferioritetit, varësisë, identitetit të humbur dhe hipokrizisë së pavullnetshme. Imituesit nuk janë asnjëherë të lumtur. Ata nuk e posedojnë asnjëherë suksesin e tyre, por vetëm dështimet.

Evropa e parë, Evropa e pasluftës, po dështon sepse kujtimi i luftës po venitet dhe sepse ai ka kontribuuar në krijimin e një Evrope të paaftë të mbrojë veten e vet. Evropa e dytë, ajo e pas vitit 1968, po dështon sepse ishte Evropa e minoriteteve, po përpiqet ende të gjejë një mënyrë për të adresuar kërkesat e shumicave për mbrojtjen e të drejtave të tyre kulturore gjithashtu, pa e kthyer demokracinë në instrumente të përjashtimit. Evropa e pas 1989-së po dështon, sepse Evropa Qendrore nuk do më që të ndjekë modelin e Perëndimit, apo ta imitojë atë dhe të gjykohet nga ky i fundit, por më tepër dëshiron të ndërtojë një kundërmodel.

A do të thotë ky dështim i Evropës se ajo po shkon në mënyrë të pakthyeshme drejt shpërbërjes? Fatalizmi do të ishte gabim. Kjo do të thotë se Evropa duhet të investojë në kapacitetet e veta ushtarake dhe të ndalojë së kërkuari falas garanci nga Amerika për sigurinë e vet. Kjo do të thotë se ashtu si demokracitë liberale evropiane në vitet 1970 dhe 1980 ia dolën me sukses të deradikalizonin të majtën ekstreme dhe integronin disa nga kërkesat e saj legjitime në politikën kryesore, po ashtu duhet të veprojnë me të djathtën ekstreme.

Njerëzit që sot janë të trembur nga disa ide radikale që vijnë nga e djathta radikale duhet të kenë parasysh se shumë centristë të viteve 1970 e konsideronin të majtë antiestablishment si Joshka Fisher – që më vonë u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë – si një kërcënim për kapitalizmin, perëndimin demokratik. Dhe kur vjen puna në raportet Perëndim-Lindje në Evropë, sfida është gjetja e një rruge për të kritikuar me forcë kthesën autoritare në Lindje pa këmbëngulur në idenë se imitimi i Perëndimit është i vetmi kuptim i demokracisë apo të imagjinohet naivisht se një angazhim ndaj demokracisë mund të blihet me fondet e Brukselit.

70 vjet më parë, Evropa ia doli mrekullisht të kthente shkatërrimin e Luftës së Dytë Botërore në themelin e projektit të saj të paqes. Ia doli të kthente zemërimin antiestablishment të 1968-së në progress politik. Ia doli me sukses në më pak se dy dekada të bashkonte një Evropë të ndarë nga 50 vjet Luftë e Ftohtë. Nëse Evropa ia ka dalë të kthejë kaq shumë dështime në sukses, mund të shpresohet me siguri që do të arrijë të njëjtën mrekulli sot. /Foreign Policy /Gazeta Ekonomia/

Autor: Ivan Krastev