Search

Komunat realizojnë të hyra 5.6 milionë euro më pak se planifikimi

Komunat e Kosovës gjatë vitit 2017 kanë realizuar të hyra në vlerë prej 72.5 milionë euro, apo 5.6 milionë më pak se sa planifikimi që ishte paraparë prej 78.1 milionë. Kështu thuhet në raportin e funksionimit të komunave të Kosovës, pë vitin 2017, të publikuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Sipas raportit, planifikimi i të hyrave vetanake ka qenë në vlerë prej 78.16 milionë euro, për dallim nga viti 2016 sa ka qenë në vlerë prej 79.62 milionë euro apo 1.46 milionë euro më pak ose për 1.83 për qind.

Në raport theksohet se lidhur me performancën e komunave në menaxhimin e buxhetit, gjatë vitit 2017 përgjithësisht vërehet progres në këtë fushë.

“Realizimi i të hyrave direkte dhe indirekte për vitin 2017 ka qenë 72,529,276 euro, që nëse krahasojmë me planifikimin prej 78,163,490 euro, atëherë i bie se realizimi i të hyrave është 93 për qind. Mbledhja e të hyrave vetanake direkte për vitin 2017 në vlerë prej 67,476,446 euro ose 86.33 për qind nga niveli i planifikuar vjetor. Krahasuar me vitin 2016 në vlerë prej 66,230,620 euro është më i madh për 1,245,825 euro ose një rritje prej 1.88 për qind, thuhet në raport.

Komunat të cilat kanë realizuar më së shumti të hyra vetanake mbi 100 për qind është komuna e Prizrenit, Skenderajt, Hanit të Elezit, Kllokotit dhe Parteshit, ndërsa komunat që kanë realizuar të hyra vetanake në një shkallë të ulët nën 20 për qind është komuna e Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veriore.

Të hyrat që kanë një ndikim më të madh në rritjen e të hyrave vetanake janë tatimi në pronë i cili gjatë vitit 2017 është inkasuar në shumë prej 22,562,501 euro, që është një inkasim më i vogël për 2,874,142 euro se në periudhën e njëjtë të vitit 2016 e cila ka qenë 25,436,643 euro, si dhe të hyrat komunale për leje ndërtimi ku gjatë vitit 2017 është inkasuar shuma prej 18,614,038 euro që është një inkasim më i madh së gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016 e cila ka qenë 17,293,233 euro.

Ndërsa, të hyrat nga ndërrimi, destinimi i tokës në vitin 2017 janë të inkasuar 3,106,348 euro, ku shihet se ka pas një rritje krahasuar me vitin 2016 me 1,707,936 euro.

Komunat e Republikës së Kosovës për vitin 2017, sipas raportit, i kanë shpenzuar buxhetet e tyre në vlerë të përgjithshme prej 419,327,289 ose 90 për qind nga vlera prej 466,567,443 euro sa ka qenë e planifikuar. Buxhetimi i komunave për vitin 2017 është më i lartë për 22,779,621.53 euro krahasuar me vitin 2016. /InfoKomuna