Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Korporatat brenda Bashkimit Evropian paguajnë më pak tatime në Luksemburg

Gati askund në Bashkim Evropian, koncernet e mëdha nuk paguajnë tatimin e plotë të paraparë. Më pak tatime ato paguajnë në Luksemburg, thotë një studim i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian.

Mes tatimeve që duhen paguar zyrtarisht dhe tatimit të paguar vërtet nga koncernet e mëdha shumëkombëshe ka një hendek të madh, raporton gazeta Süddeutsche Zeitung, bazuar mbi një studim ende të papublikuar të Partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian.

Më pak tatime ato paguajnë në Luksemburg. Në një kohë që tatimi nominal aty në vitet 2011-2015 qëndronte në nivelin 29 për qind, realisht koncernet kanë paguar një tatim 2 për qind. Edhe në Austri, Hungari, Holandë diferenca mes tatimit real dhe atij zyrtar është shumë e madhe. Në Gjermani kjo diferencë nuk është shumë e madhe, nga tatimi zyrtar 30 për qind, koncernet kanë paguar 20 për qind tatime. Vetëm në Bullgari nuk ekziston ky hendek.

Zëdhënësi i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Sven Giegold, kërkoi më shumë transparencë për praktikat e tatimeve të koncerneve shumëkombëshe.

“Komisioni Evropian ka bërë një propozim të mirë për transparencën e koncerneve të mëdha. Por ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, duhet të heqë dorë nga bllokada e tij dhe të angazhohet për transparencë më të mirë të tatimeve në vende të ndryshme. Bashkimi Evropian duhet t’u tregojë qytetarëve para zgjedhjeve në muajin maj, se ajo ndërmerr me efektivitet diçka kundër praktikave tatimore të dyshimta”, tha Giegold për Süddeutsche Zeitung.

Edhe organizata ndërkombëtare Oxfam reagoi me kritika.

“E nevojshme tani është transparenca, sanksionet r efektshme dhe tatimet minimale të njësuara në Bashkim Evropian”, tha Tobias Hauschild, ekspert për tatimet në organizatën humanitare. Duhet të marrë fund në shumë vende praktika e ikjes nga përgjegjësia e koncerneve të mëdha për të dhënë “kontributin e duhur në financimin e komunitetit”. /Deutsche Welle/