Search

Kosova dhe Bashkimi Evropian diskutojnë për bujqësinë

Në kuadër të takimeve të rregullta të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian, është mbajtur takimi i tyre i dytë sektorial mes përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, përkatësisht nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim për Bujqësi, Siguri ushqimore dhe Peshkatari dhe ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Në këtë takim i cili mbahet në kuadër të kornizës së Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit, sekretari i përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, tha se bujqësia është një prej sektorëve kyç në ekonominë e vendin, prandaj edhe Qeveria e Kosovës e ka vendosur bujqësinë si prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar të vendit, e cila zë vend të rëndësishëm në planin e politikave ekonomike evropiane.

“Ne si institucion kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që të gjeturat e vitit të kaluar t’i adresojmë në planin tonë vjetor të punës. Këtë vit jemi fokusuar në hartimin e legjislacionit, në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së, si dhe jemi munduar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të institucionit tonë, pasi që niveli i kënaqshëm i kompetencës së tyre do të sjellë edhe produktivitet dhe cilësi në vazhdën e punës”, tha Halimi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Këshillit të Evropës, njëherësh edhe zëvendësshefja e Fqinjësisë Evropiane në Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Mary Teresa, u shpreh e kënaqur lidhur me raportin dhe detajet e përfshira në të dhe në të gjitha përpjekjet e zyrtarëve të MBPZHR-së për të arritur sukses në rekomandimet e vitit paraprak.

Ndryshe, nën mandatin e MBPZHR-së për hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e Bujqësisë, Blegtorisë, Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes Bimore, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë në vitin 2017 janë hartuar gjithsej tetë projektligje (Projektligji për Ushqimin; Projektligji për Pijet Alkoolike; Projektligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural; Projektligji për Farëra; Projektligji për Materialin Fidanor; Projektligji për Veterinarinë; Projektligji për Pyjet; dhe Projektligji për gjuetinë) dhe janë miratuar gjashtë udhëzime administrative.

Tema e parë e cila u përzgjedh si prioritet i diskutimit në këtë takim ishte tema rreth sigurisë ushqimore në vend. /Gazeta Ekonomia