Search

Kosova dhe Shqipëria me rritje ekonomike të brishtë

Në Shqipëri, konsolidimi fiskal, shpenzimet publike më efikase dhe reformat strukturore janë ende kritike për një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë, kurse shpenzimet për mbrojtje sociale do të rrisin deficitin fiskal të Kosovës. Kështu thuhet në raportin ‘Rritja më e lartë, por e brishtë’, publikuar nga Banka Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Banka Botërore thotë se rritja për rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësohet të konsolidohet në 3.5 për qind për vitin 2018.

Shqipëria pritet të zgjerohet me 4 për qind gjatë këtij viti nga 3.5 për qind që ishte vlerësimi i mëparshëm. Në Kosovë, rritja e fortë pritet të stabilizohet në 4.2 për qind në vitin 2018 dhe do të arrijë në 4.5 për qind në periudhën 2019-2020.

Reduktimi i varfërisë, ulja e borxhit publik dhe prodhimi i energjisë janë disa nga faktorët kryesor që do të ndikojnë në rritjen ekonomike në Shqipëri. Mirëpo, nga ana tjetër, konsolidimi fiskal, shpenzimet publike më efikase dhe reformat strukturore janë ende kritike për një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë.

Rritja për vitin 2018 parashikohet të jetë 4 për qind, e mbështetur nga prodhimi i energjisë hidroelektrike dhe një sezon i fortë i turizmit. Rritja e punësimit po ndihmon në reduktimin e varfërisë dhe deficiti fiskal primar dhe borxhi publik pritet të ulen. Në periudhën afatmesme, rritja pritet të gradualisht të moderohet në rreth 3.5 për qind. Kurse, konsolidimi fiskal, shpenzimet publike më efikase dhe reformat strukturore janë ende kritike për një rritje të qëndrueshme dhe të barabartë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Banka Botërore thotë se rritja do të mbështetet nga konsumi privat.

“Rritja do të mbështetet gjithnjë e më shumë në konsumin privat, të nxitur nga fitimet e të ardhurave nga puna dhe në eksportet neto, përkrahur nga rritja e kërkesës së huaj dhe zgjerimi i qasjes së tregut. Investimet publike dhe ato private do të kontribuojnë gjithashtu në rritje, pasi qeveria po vazhdon të investojë në infrastrukturë”, vijon raporti.

Sipas Bankës Botërore, konsolidimi fiskal dhe zgjerimi i bazës tatimore është i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal.

“Konsolidimi fiskal dhe zgjerimi i bazës tatimore është i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal si një themel për rritjen ekonomike. Qeveria gjithashtu duhet të menaxhojë në mënyrë aktive rreziqet fiskale nga PPP-të dhe ndërmarrjet shtetërore dhe të vazhdojë të bëjë shpenzimet publike më efikase. Mbështetja e rritjes gjithëpërfshirëse kërkon një angazhim për të trajtuar sfidat strukturore që lidhen me mjedisin e biznesit, sigurinë energjetike dhe kapitalin njerëzor”, paralajmëron Banka Botërore.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT, tregojnë se rritja e prodhimit të energjisë ka dhënë gati gjysmën e rritjes ekonomike, ndërkohë që ecuri pozitive ka pasur dhe prodhimi industrial, i cili u zgjerua me 12.5 për qind.

Pas ngadalësimit të pritshëm gjatë vitit të ardhshëm, rritja ekonomike në Shqipëri do të rikthehet sërish në nivelin 4 për qind, një normë e cila ndonëse është më e lartë sesa mesatarja e vendeve të rajonit, mirëpo mbetet më e ulët nga ritmet e para krizës, kur ekonomia shqiptare rritej me 6 për qind në vit.

Për sa i përket Kosovës, Banka Botërore thotë se deficiti fiskal parashikohet të rritet, brenda kufijve të rregullës fiskale, për shkak të investimeve më të larta publike, kryesisht në infrastrukturë dhe shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale.

“Reformat duhet të përqendrohen në ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale duke shmangur rritjet e pafinancuara të shpenzimeve të mbrojtjes sociale dhe shpërndarjen e shpenzimeve për artikujt që mund të rrisin prodhimin, të zhvendosin burimet në sektorët e tregtueshëm, të rrisin produktivitetin, të angazhohen dhe të punësojnë të rinjtë dhe gratë, qëndrueshmërinë mjedisore dhe adresimin e kufizimeve të infrastrukturës”, thuhet në raportin e Bankës Botërore për Kosovën.

Banka Botërore tërheq vërejtjen edhe për përfitimet financiare që dalin nga veteranët.

“Çdo vonesë në reformat, për të mbuluar përfitimet financiare të veteranëve të luftës ose për të parandaluar ngritjet në përfitimet sociale të papërcaktuara dhe opsionet e papaguara të pensionit të hershëm, plus paqartësitë rreth Projektligjit për Pagat, mund të rrisin presionet fiskale dhe të zvogëlojnë potencialin produktiv për shpenzime qeveritare”, përfundon raporti.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, gjatë prezantimit të raportit ka thënë se vendi duhet të ketë kujdes në shpërndarjen e shpenzimeve.

“Ndërkohë që rritja po ruan një momentum pozitiv dhe politika fiskale mbetet në përputhje me rregullën fiskale, është thelbësore të përmirësohet alokimi i shpenzimeve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe fizik, për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme. Kosova po tregon një absorbim më të mirë të investimeve të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe performancë më të mirë të eksporteve, por perspektiva mund të cenohet nga paqëndrueshmëria politike, rritjet e mëtejshme të benefiteve të pashënjestruara dhe rënia globale e tregtisë dhe hyrjeve të kapitalit”, kishte thënë Mantovanelli.

Ndërkohë që edhe punësimi u rrit në pesë nga gjashtë vendet në rajon, 91,400 vendet e reja të punës të krijuara mes korrikut 2017 dhe korrikut 2018 ishin dukshëm më pak se 214 mijë vendet e punës të shtuara një vit më parë. Shumica e vendeve të reja të punës shfaqen në sektorët e industrisë dhe shërbimeve.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, borxhi i lartë publik, cili vazhdon e rritet, shoqërohet me pabarazitë fiskale dhe të jashtme, duke e bërë perspektivën të cenueshme ndaj rritjes së kostove të financimit nëse do të shtrëngohen tregjet financiare. Mbështetja e rritjes afatgjatë kërkon reforma të brendshme që i gufojnë investimet private dhe eksportet.

Raporti bën thirrje edhe për integrim më të madh ekonomik për të nxitur një rritje më të lartë dhe të qëndrueshme dhe për të stimuluar krijimin e vendeve të punës. Kërkohet rritje e integrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar në tregti, investime, lëvizshmëri dhe integrim digjital, për të përshpejtuar rritjen, për t’i kapërcyer tregjet kombëtare të vogla dhe të fragmentuara dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë ekonomik. /Konica/