Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Kosova dhe Turqia intensifikojnë bashkëpunimin në bujqësi

May 13, 2019

Kosova dhe Turqia do të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e zhvillimit ekonomik, në veçanti në sektorin e bujqësisë. Përkrahja e këtij shteti në fushën e bujqësisë do të rritet në vazhdimësi.

Kështu u tha sot gjatë takimit që ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Ziviq, pati me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, si dhe me sekretarin e Thesarit të ambasadës, Onur Tanay dhe koordinatorin e Agjencisë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Burak Ceran.

Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim të mëtejmë në sektorët që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë, me qëllim të fuqizimit dhe zhvillimit të mëtejmë të bujqësisë në gjithë vendin.

Ministrja Ziviq ka falënderuar ambasadorin e Turqisë për vizitën dhe me këtë rast e ka njoftuar edhe me programet zhvillimore të ministrisë për fermerët dhe agrobizneset.

Në anën tjetër, ambasadori Çağrı Sakar e falënderoi ministren Ziviq për pritjen dhe informimin rreth gjendjes në sektorin e bujqësisë dhe theksoi se do të shohin mundësitë e bashkëpunimit në këtë sektor, me qëllim të realizimit të projekteve të ndryshme bujqësore. /Gazeta Ekonomia/