Search

Kosova kërcënon me largim nga CEFTA

Njoftimi i fundit i Kosovës se ajo mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore (CEFTA) për shkak të asaj që ajo e shikon si trajtim të pabarabartë, ka shkaktuar një debat në lidhje me këtë plan dhe me pasojat e tij të mundshme.

UNMIK, i cili përfaqëson Kosovën në CEFTA, i ka bërë thirrje qeverisë në Prishtinë të rishqyrtojë kërcënimin, ndërsa shumica e ekspertëve vendas paralajmërojnë se një lëvizje e tillë do të rriste çmimet e shumë mallrave të importuara.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Bajram Hasani, tha të premten se Kosova do të shqyrtonte mundësinë për t’u tërhequr nga CEFTA nëse nuk merret parasysh kërkesa e saj për përfaqësim të drejtpërdrejtë – në vend që të përfaqësohet nga UNMIK-u.

“Jemi ftuar të marrim pjesë në tryezën e rrumbullakët të CEFTA-s më datën 23 të këtij muaji. Sigurisht që do të ngremë disa çështje atje. Ne i kemi kërkuar gjithashtu zyrës së BE-së që të ushtrojë presion mbi UNMIK-un që të heqë dorë nga preambula dhe të njihet si Republika e Kosovës”, citohet të ketë thënë të premten Bajrami.

“Sigurisht që ka një mundësi tjetër, të njihemi si Kosova nga të gjithë shtetet anëtare dhe të trajtohemi njësoj. Përndryshe, mund të shqyrtojmë mundësinë e tërheqjes nga CEFTA, nëse kërkesa jonë nuk merret parasysh”, tha Hasani.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ra dakord se ishte hera e parë që Kosova ndërmerrte një qasje të ashpër, duke thënë se vendimi në të kaluarën për të lejuar UNMIK-un të përfaqësonte Kosovën në CEFTA kishte qenë një gabim.

“Kosova duhet të  angazhojë ekspertizë ligjore për të argumentuar pro kërkesave e saj për të mos lejuar që fati i marrëveshjeve të tilla të mbetet në duart e ndërkombëtarëve, siç ka ndodhur me marrëveshjen e CEFTA-s të udhëhequr nga UNMIK”, tha Gerxhaliu për BIRN.

Ai tha se ndërkohë që Kosova duhej të ishte pjesë e proceseve rajonale, ajo duhet të kishte alternativa të tjera, sepse duhet të jetë njësoj me vendet e tjera në interes të zhvillimit të saj ekonomik.

“Nuk mund të ketë CEFTA në të ardhmen dhe asnjë treg rajonal, nëse ne nuk jemi të barabartë. Ne duhet të tregojmë se jemi një shtet dhe ky realitet duhet të pranohet nga të gjithë, kështu që nëse nuk jemi të barabartë, nuk është e nevojshme të jemi pjesë e nismave që vetëm na dëmtojnë”, tha ai.

Megjithatë, disa ekspertë ekonomikë thonë se ndërkohë që e kuptojnë argumentin e qeverisë, kjo e fundit duhet të jetë e ndërgjegjshme se pasojat e një vendimi të tillë do t’i vuanin qytetarët e thjeshtë.

“Ne kemi nevojë për më shumë integrim dhe jo dezintegrim”, tha për BIRN drejtori i Kolegjit Universitar të Universum në Kosovë, Alejtin Berisha.

Berisha e pranoi se ishte problematike për Kosovën që të përfaqësohej në CEFTA nga UNMIK-u dhe jo nga qeveria e saj. Por ai shtoi se kjo çështje duhej të diskutohej me kujdes, pasi largimi nga CEFTA do të kishte pasoja për njerëzit.

“Tërheqja e Kosovës do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e saj ekonomik, pasi çdo mbyllje kufiri redukton efikasitetin, ul konkurrencën brenda tregut dhe rrit çmimet”, tha ai.

Berisha pohoi se konsumatorët do të përfundonin duke paguar çmime më të larta për shumicën e produkteve.

“CEFTA nuk është një nga marrëveshjet tona më të mira, por është ende e domosdoshme”, tha ai.

Dita Dobranja, një studiuese në Institutin ‘Riinvest’, druhet gjithashtu se një lëvizje e tillë do të rriste çmimet e importeve nga vendet në rajon – të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të tregut konsumator në Kosovë.

“Si pjesë e CEFTA-së, Kosova ka përfitime të tregtisë së lirë me vendet në rajon”, tha ajo.

“Me mundësinë që Kosova të tërhiqet nga CEFTA, ajo do të duhej të negocionte marrëveshje dypalëshe tregtie të lirë me vendet e rajonit në mënyrë që të jetë në gjendje të vazhdojë të tregtojë lirshëm”, përfundoi Dobranja.

CEFTA u krijua në vitin 1992. Shumica e ish-anëtarëve të saj në Europën Lindore janë larguar, duke iu bashkuar Bashkimit Europian. Shtetet anëtare aktuale janë Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe UNMIK, që përfaqëson Kosovën. Kosova iu bashkua CEFTA-s në vitin 2007, por s’mundi të bashkohej me të drejtën e saj për shkak të refuzimit të Serbisë për ta njohur ish-provincën e saj si një shtet të pavarur. /Kallxo