Search

Kosova ‘parajsë’ për fitimet e bankave

Bankat në Kosovë vazhdojnë të janë bizneset më të qëndrueshme dhe më profitabile në rajon. Ato vazhdojnë të raportojnë fitime të majme edhe gjatë tetë muajve të parë të vitit 2017, krahasuar me vitin paraprak.

Nga të dhënat e publikuara, sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), shihet se gjatë tetë muajve të parë të vitit 2017 bankat komerciale arritën fitim neto në vlerën prej 61.4 milionë eurove, ndërsa në fund të gushtit të vitit të kaluar kjo vlerë ishte 55.1 milionë euro. Vetëm gjatë muajit gusht 2017, bankat shënuan fitim neto në vlerë prej 7.4 milionë eurosh.

Viti 2017 në sistemin bankar u karakterizua edhe me rënie të ndjeshme të normave të interesit për kredi. Sipas BQK-së norma efektive e interesit për kredi në muajin gusht 2017 ka zbritur në 6.8 për qind, krahasuar me 7.5 për qind që ishte në muajin gusht të vitit 2016.

Vlera e kredive në fund të muajit gusht të vitit 2017 arriti në 2.38 miliardë euro. Nga to 868.7 milionë euro ishin nga kreditë për ekonomitë familjare dhe 1.51 miliardë euro nga financimi i bizneseve me kredi.

Kreditë e sektorit bankar vazhduan ecurinë pozitive të rritjes për të katërtin vit me radhë, duke shënuar një rritje vjetore prej 9.9 për qind në fund të gushtit 2017. Rritje vjetore të theksuar të kreditimit gjatë kësaj periudhe kishin sektori i ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe i tregtisë.

Sipas raportit ‘Raporti i Informatave Mujore të Sistemit Financiar, gusht 2017‘ të prezantuar nga BQK, vetëm nga interesi, bankat deri në këtë periudhë kishin të hyra prej 163.3 milionë eurove, shpenzime të interesit 11.2 milionë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme dhe ato administrative janë 67.5 milionë euro.

Rritje kishte edhe te depozitat e klientëve, vlera e tyre deri në fund të gushtit 2017 arriti në 3.04 miliardë euro, krahasuar me 2.8 miliardë euro të muajit gusht 2016, pra kishte rritje vjetore rreth 8.6 për qind.

Norma efektive e interesit për depozita në muajin gusht të vitit 2017 ishte 1.1 për qind, që krahasuar me normën efektive të interesit në kredi paraqet dallim me 5.8 pikë përqindjeje.

Pas dy viteve të ngadalësimit të rritjes, depozitat në sektorin bankar në qershor 2017-së përshpejtuan ritmin e rritjes. Depozitat e transferueshme vazhdojnë të dominojnë strukturën e depozitave, përderisa të afatizuarat dhe të kursimit zvogëluan pjesëmarrjen në gjithsej depozitat.

Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.

Deri në qershor 2017, sektori bankar regjistroi rënie të kredive jo-performuese (NPL) dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i NPL-ve shënoi rënie në 3.9 për qind, një shkallë e ulët krahasuar me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe vendet në eurozonë. Për më tepër, niveli i mbulueshmerisë së NPL-ve me provizione shënoi rritje në 136.6 për qind.

Sektori bankar vazhdon të ketë nivel të lartë të kapitalizimit, me treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit në 18.1 për qind në qershor 2017. Treguesi kyç i likuiditetit [raporti i mjeteve likuide ndaj gjithsej detyrimeve afatshkurtra] shënoi rënie në krahasim me vitin paraprak. Në këtë zhvillim ndikoi në njërën anë rritja e detyrimeve afatshkurtra, që reflekton pjesëmarrjen më të lartë të depozitave të transferueshme në kuadër të gjithsej depozitave, si dhe rënies së mjeteve likuide, si pasojë e zhvendosjes së mjeteve likuide në mjete afatgjata. Pra, sektori bankar vazhdon të shfaqë pozicion të kënaqshëm të likuiditetit.

Aktualisht në Kosovë operojnë 10 banka komerciale nga të cilat 8 kanë pronësi të huaj, ndërsa dy vendore. Ato i kanë gjithsej 250 degë në të gjithë vendin. Në gusht të vitit 2017 nëpër banka punonin 3 mijë e 301 punëtorë, ndërsa një vit më parë bankat kishin 3 mijë e 334 punëtorë. /Gazeta Ekonomia