Search

Kreditë në Raiffeisen Bank rriten për 39 milionë euro në vitin 2017

Banka Raiffeisen në Kosovë ka publikuar raportin vjetor 2017 ku ka shpalosur rezultatet financiare, duke përfshirë edhe pasqyrat financiare të audituara, të përgatitura sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

“Jemi shumë të kënaqur me vitin e kaluar financiar. Kemi arritur rezultatet më të mira në vjetët e fundit, sidomos sa i përket lëshimit të kredive, si për individë ashtu edhe për biznese. Kreditë bruto dhe mbitërheqjen ishin 553.9 milionë euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme për 39 milionë euro, prej 514.4 milionë euro sa ishin në vitin 2016”, tha Robert Wright, drejtor ekzekutiv i bankës Raiffeisen në Kosovë.

Përveç kredive, edhe treguesit tjerë financiar kanë shënuar rritje e konsiderueshme duke bërë që Banka Raiffeisen të jetë banka më e madhe në Kosovë. Totali i mjeteve deri më 31 dhjetor 2017 ishte 900.9 milionë euro, në vitin 2016 ishin 879.6 milionë euro. Depozitat e klientëve kanë arritur në 736 milionë euro, prej 725 milionë euro sa ishin në vitin 2016. Menaxhimi i kostos dhe efikasiteti vazhduan të jenë prioritet edhe në vitin 2017 duke bërë që raporti te ardhura/kosto të mbetet në nivelin e njëjtë prej 53.2 për qind. Ndërsa, fitimi neto pas tatimit në vitin 2017 ishte 17.6 milionë euro, vitin 2016 ishin 17 milionë euro.

Kapitali aksionar i Bankës ishte 63 milionë euro ndërsa kapitali i përgjithshëm më 31 dhjetor 2017 ishte 125.3 milionë euro nga 122.8 milionë euro që ishte në vitin 2016, duke përfshirë edhe 62 milionë euro në formë të fitimeve të mbajtura.

Sa i përket përgjegjësisë sociale, Banka ishte e përqendruar kryesisht në përkrahjen e kulturës dhe edukimit. Gjatë vitit 2017, në kuadër të festivaleve Chopin Piano Festival dhe Prishtina Film Festival, të cilat Banka i mbështeti për nëntë vjet radhazi, janë përfshirë edhe punëtori dhe kurse shtesë të dedikuara enkas për artistët e rinj nga shkollat e mesme dhe universitetet.

Po ashtu, Banka ka vazhduar me Raiffeisen Gallery, një hapësirë e adaptuar në Albi Mall, duke ju ofruar shumë artistëve të rinj mundësi ta shfrytëzojnë këtë hapësirë për t’i promovuar punimet e tyre gjatë gjithë vitit. /Gazeta Ekonomia