Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Kryqëzata klasike-liberale për lirinë ekonomike

Një nga kryqëzatat e mëdha të liberalizmit klasik ishte liria për ndërmarrje dhe tregti të lirë.

Përgjatë shekujve të XVII-të dhe XVIII-të, qeveritë në Evropë kontrollonin, rregullonin dhe planifikonin të gjitha aktivitetet ekonomike të subjekteve dhe qytetarëve të tyre deri në pikën më të largët ku mund të arrinin duart e agjentëve të tyre politikë.

Adam Smith dhe aleatët e tij skocezë dhe francezë i rrënuan hamendësimet dhe logjikën e merkantilizmit, siç quhej në atë kohë sistemi i planifikimit qeveritar.

Ata demonstruan se rregullatorët dhe planfikuesit qeveritarë nuk kanë as mençurinë, as diturinë dhe as aftësinë për të orientuar aktivitetet e pavarura dhe komplekse të njerëzimit.

Për më tepër, Adam Smith dhe kolegët e tij ekonomistë argumentuan se rendi social ishte i mundur pa një dizenjim politik.

Në të vërtetë, ‘si të ishin të drejtuar nga një dorë e padukshme’, kur njerëzit lihen të lirë për të drejtuar çështjet e tyre me një stabilizim institucional të lirisë individuale, pronës private, shkëmbimeve vullnetare dhe konkurencës së pakufizuar formohet spontanisht një ‘sistem i lirisë natyrale’ që gjeneron më shumë pasuri dhe aktivitet të koordinuar se çdo orientim qeveritar mund të sigurojë.

Përfitimet e një lirie të tillë ekonomike e bënë Britaninë e Madhe dhe më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lokomotivat industriale të botës në fund të shekullit të XIX-të.

Politika ekonomike liberale klasike shumë shpejt pati të njëjtin efekt, megjithëse me ritme të ndryshme, në pjese të tjera të Evropës dhe më pas, dalëngadalë në pjesë të tjera të botës gjithashtu.

Përmasat e popullimit në Perëndim u rritën shumë më shumë se sa mund të dihej apo imagjinohej në të kaluarën.

Megjithatë rritja në prodhim dhe efikasiteti në produktivitet po u jepnin atyre qindra miliona njerëzve një standart dhe cilësi jetese gjithnjë e në rritje.

Në fakt, nëse një liri e mjaftueshme ekonomike dhe një konkurencë e hapur do të vazhdojnë të mbizotërojnë, është e mundur që deri në fund të shekullit të XXI-të, varfëria mjeruese do të jetë diçka që i përket së kaluarës kudo nëpër botë. /American Institute for Economic Research/