Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Kualifikimi i personelit për të ardhmen teknologjike sot është sfida më e madhe

Aktualisht zhvillimet teknologjike gjithmonë e më tepër po nxjerrin në pah një sfidë me të cilën përballet sot çdo biznes vizionar, përgatitja e personelit dhe investimi në talente që kanë për të qenë forca punëtore e së ardhmes.

Në prag të të ashtuquajturit Revolucioni i Katërt Industrial, i cili duket se ka filluar me baza të forta që tani, revista Forbes vjet ndërmori një anketë me shefat ekzekutivë të kompanive botërore, për t’i pyetur rreth gatishmërisë së tyre për ndryshimet e ardhshme dhe përshtatjet e nevojshme në personel.

Sipas përfundimeve rezultoi se, të paktën për ato kompani botërore me objektiva të qarta për sukses në të ardhmen, 86 për qind e të anketuarve thanë se organizatat e tyre po bënin gjithçka që mundnin për të krijuar një forcë pune të përgatitur për ndryshimet teknologjike të së ardhmes. Por, a e kanë kuptuar vërtet drejtuesit se çfarë duhet të bëjnë dhe si ta paraprijnë gjithë ndryshimin që po vjen? Me sa duket ende jo!

Kur po i njëjti studim i Forbes u përsërit këtë vit, rezultatet treguan se vlerat kishin rënë dhe perceptimi gjithashtu. Numri i drejtuesve të gatshëm për të investuar tek personeli i së ardhmes ishte ulur në 47 për qind dhe ky përfundim është sinjali i qartë se të kesh punonjës të kualifikuar për t’u përshtatur me ndryshimet është një nga sfidat më të mëdha të sipërmarrësve sot. Ndaj, çfarë duhet bërë?

Së pari, adresimi i mospërputhjes së aftësive ekzistuese me zhvillimet e shpejta që sjellin risi. Ndërsa industria prezanton teknologji më të përparuara të afta të ndikojnë pothuajse në çdo aspekt të operacioneve të një biznesi, punonjësit që kuptojnë se si të përdorin dhe zbatojnë këto teknologji janë thelbësore. Sidoqoftë, duke pasur parasysh shpejtësinë e ndryshimit, përvetësimi i këtyre aftësive nuk qëndron në të njëjtin ritëm.

Kështu, në lidhje me përvetësimin e aftësive të nevojshme, sondazhi i Forbes thekson se drejtuesit e kompanive botërore besojnë se sistemi arsimor ka mbetur prapa ritmit të teknologjisë dhe bazohet ende në mënyra të vjetra të mësimnxënies. 57 për qind e drejtuesve të anketuar besojnë se sistemet arsimore duhet të ridizajnohen në sinkron me kohën, një rritje e konsiderueshme kjo, nga 35 për qind që rezultonte vitin e kaluar.

Së dyti, diferencimi dhe përqendrimi në talente. Sipas Forbes, të gjithë ata drejtues që pranojnë të trajnojnë vazhdimisht personelin dhe të investojnë tek ta pavarësisht kostove të shtuara, kanë probabilitet shumë të lartë që edhe në të ardhmen të posedojnë një forcë punëtore të kualifikuar. Thënë kjo, duke u përpjekur të zhvillojnë talente, kompanitë diferencohen në treg dhe kanë pastaj ndikim pozitiv në shoqëri.

Pra, duke vazhduar të fitojnë aftësitë e nevojshme, kompanitë në njëlloj mënyre angazhohen për të mbështetur zhvillimin e këtyre aftësive dhe suksesin e tyre në afat të gjatë. Megjithatë që kjo të arrihet sigurisht, përveç trajnimit të punonjësve nevojitet edhe bashkërendimi i disa komponentëve më madhorë si sistemet arsimore të azhurnuara apo programet e praktikave profesionale.