Search

Kujdes me mishin, mund të ketë antibiotikë të tepruar

Konsumimi i mishit nuk është se sjell përfitime shëndetësore në vazhdimësi. Ai madje konsiderohet tejet i rrezikshëm për shkak të përmbajtjes së madhe të antibiotikëve që përdoren te kafshët që janë të destinuara të shiten për mish.
 Nga ana tjetër kosovarët njihen si kampion të përdorimit të mishit, dhe ky i fundit në tregun tonë është më i shtrenjtë se cilido produkt tjetër, raporton lajmi.net.

Mirëpo ekziston një datë kur kërkohet që të ushqehemi pa përdorimin e mishit.

Pra, nesër, më 20 Mars, është Dita Ndërkombëtare Pa Mish, ditë kjo që ngre ndërgjegjësimin e përfitimeve shëndetësore, mjedisore dhe etike të jetesës pa mish dhe kundër mizorive ndaj kafshëve.

Se kjo ditë është shumë e rëndësishme, e bën të ditur për lajmi.net edhe kryetari i  organizatës ‘Konsumatori’ Selatin Kaçaniku.

 

Për të, kjo datë preferohet për shëndetin  e njeriut që të paktën një ditë në javë të jetë pa mish për arsye, siç theksoi ai, shëndetësore.

“Dita Ndërkombëtare Pa Mish preferohet për shëndetin e njeriut që të paktën një ditë në javë të jetë pa mish për arsye shëndetësore sepse përkundër faktit që mishi është i nevojshëm për organizmin megjithatë është një ushqim që është paska i lodhshëm që dhe e rëndon tretjen e organizmit dhe si i tillë edhe shkakton lodhje fizike por edhe metabolike, prandaj kjo ditë është e mirë që ta kemi në dije që të na sensibilizojë që sa ma pak të ushqehemi me mish”, shpjegon Kaçaniku.

Ai e pranon se duhet përdorur sa më pak konsumimin e mishit pasi, siç thekson ai, ka edhe dyshime se prodhues të mishit përdorin sasi të tepruara të antibiotikut dhe sasi të tepruara të hormoneve.

“Ne patëm 15 marsin në kuadrin e Marsit muajit botërorë të së drejtave të konsumatorit ku organizata kombëtare e konsumatorit manifestoi kundër antibiotikut në mish. Në vitin e kaluar e patëm manifestimin e po kësaj organizate për kujdesin ndaj mishrave të ndryshëm nga skara që janë mishra kanceroz e kështu me radhë”, thotë ai ndër të tjera, raporton lajmi.net

Kohë më parë janë ngritur dyshime mbi cilësinë e mishit në vend dhe kushtet në të cilat ky produkt shitet.

Megjithëkëtë, Kaçaniku shtoi se për të kërkuar cilësi në këtë produkt duhet bërë presion shtetit përmes aktiviteteve të ndryshme vullnetare dhe përmes Organizatave Jo Qeveritare.

Kosova, sipas disa të dhënave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) importon mish të gatshëm kryesisht   nga SHBA, EU, Brazil dhe Uruguai. Ndërsa po kjo Agjenci ka licencuar dhjetëra  thertore në tërë territorin e vendit të cilat mund të përgatisin mishin për shitje. Brazilin dhe SHBA-në si vendet kryesore të origjinës së tij.

Ndërsa, Lamir Thaçi, zëdhënës në AUV thotë për lajmi.net se produktet me origjinë shtazore i nënshtrohen kontrollit të inspektoreve veterinar ndërsa produkteve me orgjinë bimore i nënshtrohen kontrollit të inspektoreve fitosaniatr.

Ai shpjegon se kontrollohen edhe në bazë të aromës, temperaturës etj.

Ndryshe, nevojat konsumuese për kokë banori në Kosovë sillen mesatarisht prej 40-46 kg mish në vit, derisa me prodhimtarinë e brendshme vlerësohet se përmbushen vetëm rreth 50 për qind të këtyre nevojave.

Dita Ndërkombëtare Pa Mish për herë të parë është festuar në vitin 1985 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Disa moskonsumimin e mishit e bëjnë për arsye të shëndetit të tyre pasi thuhet se ai ndikon negativisht në sistemin kardiovaskular.

Ndërsa të tjerë janë të shqetësuar me faktin se më shumë se 60 miliardë kafshë vriten vazhdimisht që të përdoren për ushqim./Lajmi.net

/ Lajmi.net