Search

Kush e ka në pronësi Tokën?

Mbretëresha, fisi i aktores Nicole Kidman, Mbreti Selman i Arabisë Saudite dhe manjati i medieve, Ted Turner janë vetëm disa prej latifondistëve më të fuqishëm globalë.

Në krahasim me popullsinë njerëzore të saj, bota është goxha e madhe. Ajo është 123 miliardë akra në përmasë, prej të cilave 37 miliardë janë tokë. Kjo do të thotë se ka katër akra në dispozicion për çdo burrë, grua dhe fëmijë në popullsinë botërore të parashikuar të vitit 2050 prej 9 miliardë banorësh, që do të ishte një rritje prej 2 miliardësh kundrejt popullsisë aktuale. Por imagjinarja nuk është reale dhe ajo çka të bie në sy kur shikon në mënyrën sesi 37 miliarda akra janë përdorur nga natyra dhe nga njerëzimi është se zona urbane, gjurma e njerëzimit në zonën tokësore, është jashtëzakonisht e vogël, në masën 1.5 përqind. Kjo bie ndesh me retorikën e rëndomtë të ambientalistëve, e cila shumë shpesh vjen pa fakte.

Përdorimi i tokës historikisht tentonte që të ndiqte pretendimet për pronësi, të përcaktuara si e drejtë për përdorimin dhe disponimin e tokës. Marrëdhënia midis njerëzve dhe tokës fillon me një pretendim themelor nga disa njerëz apo vende për të ‘pasur në pronësi’ tokë. Mbi këtë bazë, bota ndahet në dy kategori të thjeshta: ato vende që u lejojnë qytetarëve të tyre që të kenë në pronësi tokë për të cilën kanë titull ligjor dhe ato që u japin vetëm pronësi në qira qytetarëve të tyre, duke i mundësuar shtetit që të pretendojë një të drejtë totalisht të mëparshme ndaj përdorimit të të gjithë tokës brenda kufijve të tij.

Ato vende që u lejojnë popujve të tyre të kenë në pronësi tokën për të cilën kanë titull ligjor janë midis tyre ekonomikisht më të suksesshëm, të tilla si Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Franca. Ato që operojnë në atë që thellësisht është një sistem feudal apo parafeudal, në të cilin shteti apo monarku pretendojnë të drejta ligjore mbi të gjithë tokën, tentojnë që të jenë më pak të zhvilluarit, me përjashtime të rralla të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re.

Kategoria e fundit, në të cilën qytetarët nuk mund të kenë ligjërisht pronësi mbi tokën, është e dominuar nga një prej situatave më të çuditshme në Tokë: pronësia ligjore nga një individ i vetëm në një numër vendesh dhe deklasimi pasues i të gjithë qytetarëve të këtyre vendeve në statusin e vasalëve feudalë në raport me tokën.

Latifondisti kryesor i botës është Mbretëresha Elisabeta e II-të. Ajo është mbretëreshë e 32 vendeve, kryetare e një Commonwealth prej 54 vendesh në të cilin jeton çereku i popullsisë së botës, dhe pronare e ligjshme e rreth 6.6 miliardë akrave tokë, një e gjashta e sipërfaqes tokësore e Tokës. Pozicioni i saj është një relike e perandorisë tokësore më të madhe dhe të fundit në histori, thashethemnaja e vdekjes së saj do të dukej të ishte disi e parakohshme bazuar në pozicionin dhe posedimet e saj. Por pushteti i saj është real ose të paktën ligjërisht real dhe buron nga një traditë e bazuar mbi një marrëdhënie specifike e pabalancuar, midis sunduesve dhe të sunduarve.

Feudalizmi filloi me idenë se e gjithë toka dhe njerëzit janë posedim i perëndive, me këto të fundit që e transferojnë këtë pronësi tek një përfaqësues njerëzor. Origjina hyjnore e pronësisë tokësore u bë gjithëpenetruese në kohët klasike dhe e mori formën e saj të përgjithshme më brutale në perandorët romake e idolizuar, nga të cilët posedohej e gjithë toka në perandori. Romakët e sollën idenë e pronësisë perandorake në Britani në vitin 43 pas Epokës së Re.

Në vijim të pushtimit norman në 1066, hera e fundit që Britania u pushtua, ideja e një pronari monarkik, absolut të vetëm të tokave u bë e ngulitur në kushtetutë dhe në praktikë. Me zgjerimin e Perandorisë Britanike, ky version i sistemit feudal u imponua në rreth çerekun e botës.

Sot ne kemi dy lloje shteti feudal: shtetin e trashëguar, zakonisht me një monark si kryetar të tij, si në Mbretërinë e Bashkuar dhe shteti që pretendon pronësi mbi të gjithë tokën dhe është feudal në konceptimin e tij e shpesh totalitar, si puna e Kinës. Por struktura bazë feudale e mbijetuar në botën moderne është e trashëguar, transkombëtare dhe mbulon shumë vende. Ajo nuk ka asnjë emër formal. Në fakt, kurora britanike dhe mbajtësja e saj, Elisabeta e II-të. Titulli ligjor i saj është ‘Me Hirin e Zotit, të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut dhe të territoreve e mbretërive të saj Mbretëreshë, Kryetare e Commonwealth, Mbrojtëse e Shtetit’.

Kjo deklaratë kushtetuese përfshin disa territore të mëdha ku Mbretëresha është në mënyrë krejtësisht të ndarë kryetare shteti sovran dhe pronare e ligjshme. I pari midis këtyre është Australia, e cila, në qoftë se përfshihen territoret antarktike, është vendi i dytë më i madh në Tokë. Gjithashtu, ajo ka në pronësi vendin e tretë më të madh të Tokës, Kanadanë.

Kur territoret e Mbretëreshës bashkohen me njëri tjetrin, Federata Ruse pushon së qeni entiteti politik i vetëm më i madh në Tokë. Ashtu si mbretëritë e Mbretëreshës, Federata Ruse është jashtëzakonisht e nën populluar dhe pafundësisht e pasur me minerale të të gjitha llojeve.

Së bashku, mbretëritë e Mbretëreshës kanë një thellësi të mbrojtjes politike ndërkombëtare ndryshe nga çdo aleancë tjetër. Ato janë të kombinuara së bashku në Commonwealth, blloku i vetëm më i madh në Kombet e Bashkuara, kombinimi i vetëm më i madh i vendeve jashtë Kombeve të Bashkuara dhe janë të gjitha të kryesuara nga e njëjta 80 vjeçare imcake. Sikur Mbretëresha të mund t’i konvertonte pronat e tokave të saj në kesh, ajo jo vetëm që do ishte individi më i pasur në Tokë, por edhe personi më i pasur që ka jetuar ndonjëherë. Megjithatë, një tjetër mënyrë sesi ajo mund ta arrinte këtë është nëpërmjet përmbysjes së 13 parajsave fiskale e të cilave është njëherazi sunduesja e pronarja dhe t’i shkundte paratë prej tyre.

Në thelb, një parajsë fiskale është një strofull banditësh, si në ato filmat Western e stilit të vjetër të ‘Hollywood’ ku të pëqinjtë mblidhen më plaçkën e vjedhur të tyre. Parajsat fiskale moderne janë ku kleptokracia ndërkombëtare, shpesh sunduesit e shteteve dhe familjet e tyre, fshehin paranë që vjedhin ndërsa janë në post dhe ku korporatat shumëkombëshe mbajnë paratë kesh dhe asetet për të cilat nuk duan të paguajnë taksa. Në të vërtetë, me rregullat e saj të veçanta të rezidencës, Mbretëria e Bashkuara, mbretëria kryesore e Mbretëreshës, është në vetvete një parajsë fiskale për shumë njerëz.

Prej 24 parajsave fiskale më të mëdha të botës, Mbretëresha është sovrane e jo më pak se 13 prej tyre. Ekzistenca e tyre po e ndan aktualisht koalicionin qeverisës, me liberaldemokratët që kërkojnë t’i rregullojnë të gjitha dhe torët që nuk kanë dëshirë të ndërpresin burimin e kaq shumë prej donacioneve të partisë.

Lista e pronarëve të tokave më të mëdhenj individë apo familje të botës, e dominuar nga Mbretëresha, ka disa anëtarë të rinj interesantë. Pronari i tokave individual më i madh pas Mbretëreshës është një tjetër monark, Mbreti Selman i Arabisë Saudite. Ai e mban tokën me besim për popullin dhe si një dhuratë nga Zoti. Ky formulim kushtetues i lashtë zbatohet gjithashtu në Skoci, ku monarkët e mbajnë tokën në besim nga superiori i tyre i fundit feudal, Zoti. E njëjta formulë fetare zbatohet për Mbretin e Marokut, Sulltanin Quaboos të Omanit, Mbretin Abdullah të Jordanisë, Emirin e Kuvajtit dhe Sheikun Hamad të Katarit.

Megjithatë, ndryshe nga Mbretëresha, shumica e gardianëve islamikë të tokës janë personalisht aktivë në caktimin e saj. Mbretëresha është tërësisht e largët nga transaksionet tokësore, përveçse në lidhje me pronat private të saj. Në Mbretërinë e Bashkuar, shumica e vendit është dhënë nëpërmjet shitblerjesh, që nganjëherë shkojnë deri në fillimin e Mesjetës. Transaksionet janë kryesisht midis klasash, korporatash dhe individësh dhe kryhen nga avokatë në bashkëpunim me kadastrat.

Në Kanada, Zelandë të Re dhe Australi, agjencitë qeveritare caktojnë dhe marrin tokë në emër të Kurorës. Nuk ka asnjë regjistrim format të ndonjë prej këtyre vendeve që dërgon fonde në Mbretërinë e Bashkuara për llogari të Mbretëreshës.

Papa, i cili është një kryetar shteti dhe një monark në të drejtën ndërkombëtare, vepron gjithashtu si përfaqësues i Zotit, por jo tamam në të njëjtën mënyrë si monarkët myslimanë. Sipas dogmës katolike, e gjithë toka vjen në fakt nga Zoti dhe për shumë shekuj Papa pati pothuajse po aq akra sa ka sot Elisabeta e II-të – midis 20 dhe 30 përqind të Europës dhe të njëjtën përqindje të Amerikës së Jugut. Shumica e këtyre tokave është humbur, por Papa kuptohet se ka në pronësi të gjithë tokën e institucioneve të kishës katolike, urdhrave fetare dhe dioqezave si monark, pakashumë me të njëjtën bazë që Mbretëresha ka në pronësi akrat e saj. Totali i vlerësuar i poseduar nga Papa është në rreth 177 milionë akra.

Të tetët në listën e pronarëve të tokave individualë dhe familjarë janë fermat dhe rançet e familjes Kidman në Australi, me të cilën aktorja Nicole Kidman është e lidhur. Ajo e tyrja është pronësia e tokave jo shtetërore, jo monarkike, më e madhe në faqe të Tokës. Familja Kidman nuk mund të ketë në ‘pronësi’ tokë në Australi; vetëm Mbretëresha ka. Ajo çka familja Kidman posedon është një përzierje e huave specifike të Kurorës për periudha fikse kohore dhe hua të përjetshme për për periudha të papërcaktuara.

Amerikani i parë në listë, Ted Turner, gjendet në numrin 24. Siç e demonstron Australia, një popullsi e vogël mund të krijojë pronësi tokash të mëdha nëqoftëse shumë tokë në dispozicion. Pavarësisht madhësisë së saj, Amerika ka një popullsi relativisht të madhe në raport me disponueshmërinë e tokës, sidomos për përdorim bujqësor. Të dyja vendet praktikojnë kapitalizëm të tregut të lirë, por modeli amerikan në pjesën më të madhe bazohet tek industria dhe popullsia, ndërsa ai i Australisë bazohet në një kombinim të bujqësisë dhe nxjerrjen e mineraleve.

Përkrah holdingjeve Kidman, nuk ka më shumë se 8 rançe të tjera australiane në listë, më i vogli i të cilëve, Colonial Agricultural Company, është mbi 4.5 milion akra në madhësi. Ndërsa holdingu Kidman është më i madh se Hungaria, më i madh edhe se 90 prej shteteve më të vogla të botës, Colonial Agricultural është më e madhe se 43 vendet më të vogla të botës. Këto holdingje të mëdha, të cilat nuk janë replikuar në asnjë prej shtëpive të kapitalizmit të tregut të lirë, Shtetet e Bashkuara apo Kanada, sugjerojnë se prosperiteti ekonomik në nivel korporativ nuk është penguar formalisht nga strukturat feudale, për aq kohë sa ekziston fleksibilitet në zbatimin e tyre, i barabitur nga agresioni sipërmarrës në shtrëngimin që ky fleksibilitet të funksionojë.

Lidhje toke

Dështimi relativ i Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar korporata bujqësore të mëdha ka mundësi që të ketë të bëjë shumë me formën populiste të kapitalizmit të saj, kombinuat me sasinë e madhe të pazakontë të tokës, shumica e saj në zona bujqësore potenciale të mbështetura nga qeveria federale. Populizmi amerikan është në thelb, pavarësisht se joefektivisht, korporatist antimonopolist, sidomos mbi tokën. Qeveria federale shpërndau tokë vetëm nën presionin popullore (në Homestead Act e vitit 1862) dhe përgjithësisht përdori një njësi bazë prej 160 akrash për parcelë toke.

Në Australi, nuk kishte asnjë formë të tillë kufizimi popullor dhe asnjë instinkt për t’i pajisur australianët me sasi toke të qëndrueshme. Megjithatë, ajo çka duhet të na alarmojë të gjithë neve dhe vendi për të parë është Rusia është formimi i korporatave të mëdha të tokave që do të ndalojnë çdo përpjekje për të zgjidhur problemin e kombinuar të deindustrializimit dhe rritjes së popullsisë nëpërmjet një përdorimi dhe shpërndarjeje më efektive të tokës.

Tabelat që shoqërojnë këtë artikull nuk janë hartuar apo botuar ndonjëherë më parë. Ajo çka ato tregojnë është një botë e dominuar nga struktura të lashta të pronësisë mbi tokën, asnjëra prej të cilave nuk pasqyron botën moderne, popullsitë e saj apo nevojat e tyre. Nevoja parësore për një të tetën e popullsisë së botës që jeton në varfëri ekstreme dhe në zona rurale është që të ketë në dispozicion të mjaftueshme për të rritur ushqim dhe mbijetuar, ashtu si dhe për vendstrehim bazik. Pjesa tjetër e jona, veçanërisht në botën e industrializuar, ka nevojë për një vendstrehim të sigurtë në formën e një shtëpie në pronësi, jo me qira.

Ekziston një tendencë mbizotëruese mbarëbotërore dhe kjo është lëvizja e njerëzve nga zonat rurale në ato urbane, e cila filloi në Evropë në shekullin e Tetëmbëdhjetë dhe po replikohet sot në Afrikë dhe në Azi. Kjo është e shtyrë në mënyrë dërrmuese nga nevoja për të gjetur punë dhe nga varfëria e jetesës rurale.

Megjithatë, në më pak se 50 vjet, një kundërtendencë do të prodhojë një krizë krejtësisht të parashikueshme. Nga dita e parë e mekanizimit dhe më pas e automatizimit, punët u eliminuan. Kombinimi i mekanizmit dhe automatizimit me kompjuterizimin dhe pothuajse i gjithë punësimi manifakturist mund të zhduket. Një kapacitet për të prodhuar pothuajse gjithçka në çdo sasi, me pak apo aspak ndërhyrje apo mbikëqyrje njerëzore, është pothuajse mbi kokën tonë, ndërkohë që gjithnjë e më shumë prej nesh po e kalojnë moshën 79 vjeçare. Ekziston vetëm një rrugë shpëtimi nga këto tendenca që ndërthuren: ne kemi nevojë për një qasje të re ndaj përdorimit dhe pronësisë së tokës, jo vetëm në Britani siç shkruaja në artikullin tim javën e kaluar, por anembanë botës.

Në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë për një qasje të re ndaj punësimit dhe taksimit, një qasje që kapitalizmi i tregut të lirë nuk mund ta sigurojë me mbështetjen e tij në punësimin në sektorin privat dhe rritjen konsumatore të përjetshme si motorët e një fluksi bazik të ardhurash. Qeveritë socialiste janë përpjekur që ta zgjidhin problemin e punësimit nëpërmjet zgjerimit të sektorit publik. Kjo ka dështuar, për shkak se baza taksuese zvogëlohet – numri i njerëzve dhe i bizneseve që paguajnë taksa bie, megjithëse madhësia e taksës së vënë nga qeveria rritet.

Disa forma frenimi të popullsisë botërore do të dukeshin të dëshirueshme, siç argumentonte David Attenborough në leksionin e tij. Por, historikisht, është prosperiteti që ka tentuar ta frenojë rritjen e popullsisë, jo legjislacioni apo lufta. Rruga drejt prosperitetit në të kaluarën shpesh është lidhur me tokën. Ndoshta do të veprojë sërish kështu, bazuar në një model më të ndershëm, më demokratik, të pronësisë dhe të shpërndarjes. /Who Owns the World – The Hidden Facts Behind’