Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Kuvendi i Kosovës diskuton për gjendjen në Telekom

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet gjendja e krijuar në Telekomin e Kosovës, tha se kompania është buzë të falimentimit.

Konjufca ka fajësuar ish-qeverisjen Thaçi për shkatërrim të Telekomit.

“Telekomi është në buzë të falimentimit. Nuk është një skenar i zakonshëm. Protagonisti kryesor ishte ish-kryeministri Hashim Thaçi, Rexhë Gjonbalaj dhe Syqyri Haxhaj. Një prej aseteve më të rëndësishme është abuzuar në mënyrën më të ligë. Mbingarkesat e punësimeve dhe zhvatjet e parave e kanë shtrirë kompaninë në tokë. Kompania që para disa viteve ka sjellë të ardhura, tash është duke falimentuar. Ne do t’ia paraqesim Kuvendit një rezolutë për këtë gjendje në Telekom”, tha Konjufca.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka filluar të ndërmerren masa për gjendjen në këtë kompani.

Haradinaj ka shtuar se nëse përgjegjësit e Telekomit bëjnë kontratë në dëm të kompanisë, ndaj tyre do të ndërmerren masat ligjore.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka filluar një proces të ristrukturimit në proces me EBRD (BERZH), duke ndërtuar një trup e përkohshme, pra është kërkuar të krijohet shtabi i krizës, në këtë frymë është ndërtuar një mekanizëm. Nga Bordi aktual i Telekomit ka filluar procesi i shkarkimit. Ju keni kërkuar auditim në rezolutë dhe ka filluar menjëherë auditimin dhe është në proces. Nëse Bordi aktual, apo drejtori aktual bënë kontratë të dëmshme me operatorin privat ai merr përgjegjësi ligjore”, ka thënë Haradinaj.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasnqi, seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për gjendjen në Telekomin e Kosovës e ka quajtur si varës dhe kjo sipas tij, është bërë për shkak se opozita ka mbetur pa tema.

Sipas tij, opozita LDK dhe Vetëvendosje janë duke u munduar që të paraqesin gjendje të krizës në vend.

“Kjo është një farsë që ka për qëllim me paraqit gjendjen e krizës në Kosovës. Jo që është shpik sepse është temë me të cilën është marrë edhe kjo qeveri, edhe qeveria e kaluar por tash ky Kuvend përveç një seance tjetër e ka është një komision hetimorë parlamentar. Për t’i hetuar dhe për të dal me konkluzione për t’i japur një përgjigje këtyre që thuhen në Kuvend”, tha shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi.

Po ashtu, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kriza në këtë kompani është thelluar nga punësimet pa kritere.

Hoti ka treguar se cilat janë arsyet se pse po falimenton Telekomi.

“Kriza është thelluar, është rritur punësimi mbi baza të pastërta të nepotizmit dhe politike, auditim nuk është bërë dhe kryeministri nuk ka raportuar në Kuvend. Telekomi po falimenton për shkak të qindra lëndëve në gjykatë. Inkasimet po vihen nga përmbaruesit privat. Telekomi nuk ka ide për riskun e ekspozimit ndaj këtyre rasteve. Ka shumë licenca të kanë skaduar nga Telekomi dhe nuk ka mundësi me i vazhduar dhe kjo ndikon për sigurinë kombëtare duke pa natyrën e kësaj kompanie”, ka thënë ai.