Search

Lansohet fondi për përkrahjen e OJQ-ve që promovojnë inovacionin

Me qëllim të mbështetjes së projekteve që kontribuojnë në promovimin e zhvillimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë, ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN), ka lansuar “Fondin për Inovacion dhe Ndërmarrësi” për organizatat joqeveritare të cilat kanë mundësinë të marrin subvencionim deri 200 mijë euro.

Ministri i MIN, Besim Beqaj, tha se fondi ka për qëllim përkrahjen e inovatorëve që kanë për synim dixhitalizimin e ekonomisë.

“Ky program ka për synim që t’i përkrah inovatorët dhe ta kombinojnë njohurinë, kapacitetet dhe burimet njerëzore për të ndërtuar konceptin inovativ, i cili do të na dërgoj drejt konceptit të dixhitalizimit të ekonomisë. Sot në botë flitet për ekonominë dixhitale, interkonektivitetin dhe shumë tema të tjera të cilat po i tejkalojmë të gjitha barriera dhe pritjet që i kemi pasur më herët”, tha Beqaj, shkruan Telegrafi.

Drejtoresha e shoqatës për teknologji, inovacion dhe komunikim (STIKK), Vjollca Çavolli, tha se ky fond është i nevojshëm me qëllim që Kosova të ketë një ekonomi dixhitale.

“Nëse dëshirojmë që në Kosovë të kemi një ekonomi dixhitale, atëherë ky fond është më se i nevojshëm. Teknologjia e komunikimit dhe inovacionit nuk zhvillohet në vetvete, por zhvillohet duke i përkrahur sektorët tjerë”, tha Çavolli.

Hajriz Koca nga MIN, tha se në fazën e parë të thirrjeve janë paraparë rreth dy milionë euro nga fondi i tërësishëm i ministrisë prej 7 milionë euro.

“Kjo është thirrja e parë për grante dhe qëllimi i fondit është të përkrah organizatat joqeveritare dhe individët që merren me inovacion dhe në shfrytëzim të zhvillimit ekonomik të vendit. Ne këtë fazë, fondi është rreth dy milionë euro dhe në fazat e tjera fondi i ministrisë është rreth 7 milionë euro për subvencionim të këtyre projekteve”, tha Koca.

Teknologjia informative, edukimi, energjia, bujqësia, shëndetësia, infrastruktura dhe prodhimi, janë sektorët që do t’i përkrah fondi.

Thirrja për mbështetje financiare është e ndarë në tri nivele. Në nivelin e parë është shuma për financim prej 15 mijë euro, për nivelin e dytë janë ndarë 50 mijë euro dhe në nivelin e tretë do të përfitojnë financim prej 200 mijë euro.

Gara do të qëndrojë e hapur 30 ditë që nga dita e sotme.