Search

Letrat me Vlerë vetëm për bankat dhe investitorët institucional

Individët nuk do të lejohen të marrin pjesë, si deri tani, në ankandet e bonove dhe obligacioneve shtetërore.

Qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë po punojnë në një projekt, që pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në organizimin e tregut primar të titujve të Borxhit Qeveritar.

Në ankandet do të marrin pjesë vetëm bankat dhe investitorët e tjerë institucional, ndërsa individët do të mund të blejnë dhe shesin tituj vetëm nëpërmjet bankave dhe ndërmjetësve të tjerë të tregut primar.

Gjithashtu, pritet që nga ankandet e bonove të thesarit të tërhiqet edhe Banka e Shqipërisë, lëvizje që është e destinuar të ndryshojë në mënyrë thelbësore strukturën e borxhit të brendshëm qeveritar. Sipas të dhënave më të fundit, individët dhe Banka e Shqipërisë zotëronin së bashku mbi 24 për qind të stokut të borxhit publik, për një vlerë që llogaritet afërsisht në një miliard euro.

Aktualisht, shumica e titujve qeveritarë mbahen deri në maturim, ndërsa vetëm një pjesë e vogël shiten para afatit. Ky do të ishte një hap më tej drejt zhvillimit të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri, ndërkohë që sapo është licencuar edhe bursa e parë private e titujve.

Në ankandet e fundit, kërkesa e investitorëve për të blerë bono thesari është në rënie, ndërsa interesat po rriten. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e të martës, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.34 për qind, nga 2.28 për qind që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.

Ndonëse tendenca është për një rritje të lehtë dhe graduale, ende yield-it të bonove nuk nxisin presione domethënëse për rritjen e interesave të depozitave apo të kredive bankare. Kjo qëndrueshmëri favorizon ruajtjen e normave të ulëta të interesit në ekonomi.