Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Liberalizmi i vërtetë

Liberalizmi klasik ai që filloi në shekujt XVIII-të dhe XIX-të dhe e shndërroi botën në mënyra që kanë përmirësuar më shumë rrethanat materiale dhe shoqërore të njerëzimit, po shuhet në një vrimë të zezë të kujtesës Orwelliane.

Megjithatë ishte ky liberalizëm i vjetër që filloi çlirimin e njerëzimit nga tirania dhe varfëria dhe kudo që mbetjet e kësaj forme origjinale të liberalizmit ekzistojnë akoma, prosperiteti vazhdon të rritet.

Të drejtat natyrore sot shpesh përqeshen ose nuk llogariten nga filozofët, të cilët shumicën e rasteve e kanë më të lehtë të flasin për nihilizmin etik dhe relativizmin politik. E megjithatë bota moderne e lirë ka origjinën e saj nga ato të drejta. Këto janë të drejta që gjenden te njerëzit për nga natyra e tyre si qenie njerëzore dhe që logjikisht paraprijnë qeveritë dhe ligjet e bëra nga njeriu që mund ose nuk mund t’i respektojnë dhe zbatojnë këto të drejta.

Filozofët politikë si John Locke artikuluan kuptimin e këtyre të drejtave në vitet 1600 dhe 1700.

“Megjithëse toka dhe të gjitha krijesat inferiore janë të zakonshme për të gjithë njerëzit, sërish çdo njeri ka një ‘pronësi’ mbi ‘personalitetin’ e tij. Personalitet, mbi të cilin askush nuk ka të drejta mbi të përveçse individit. Mund të themi se ‘puna’ e trupit të tij dhe ‘krijimet’ e duarve të tij janë vetëm pronë e tija”, këmbëngulte Locke

Teksa të gjithë njerëzit kanë një të drejtë natyrore për të mbrojtur jetën e tyre dhe pronën e tyre të prodhuar ose të fituar në mënyrë paqësore, ata formojnë shoqata politike mes tyre për të mbrojtur më mirë të drejtat që kanë. Në fund të fundit, njerëzit mund të mos jenë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten nga agresorët dhe nuk mund t’i besohet gjithnjë pasionit të momentit kur ata përdorin forcën si mbrojtje ndaj të tjerëve, një forcë e cila mund të tejkalojë ofensivën që ata përjetuan.

Këtu me pak fjalë është origjina e ideve që mbinin për gati një shekull pas John Locke dhe më pas frymëzuan etërit themelues me fjalët e Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776, kur ata folën për të vërtetat e qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë me disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë jeta, liria, dhe kërkimi i lumturisë dhe për ruajtjen e të cilave burrat formojnë qeveri mes tyre.

Teksa çdo nxënës i shkollave amerikane i di, apo dikur i dinte, përmendësh ato fjalë nxitëse, ajo që shumica e amerikanëve dinë më pak është pjesa tjetër e tekstit të këtij dokumenti. Në këtë pjesë etërit themelues numëruan ankesat e tyre kundër kurorës britanike: tatimin pa përfaqësim, kufizimet në zhvillimin e tregtisë dhe industrisë brenda kolonive britanike dhe rregulloreve mbi tregtinë e jashtme, një tufë burokratësh qeveritarë që ndërhyjnë në punët personale dhe të përditshme të kolonistëve dhe shkeljes të lirive themelore civile.

Ajo që ngjalli zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre është se një shumicë e madhe e këtyre kolonistëve amerikanë e konsideronin veten britanikë nga lindja ose prejardhja. Ndërsa mbreti britanik dhe Parlamenti i tij mohonin ose shkelnin atë që ata konsideronin të drejtën e tyre të lindjes, se “të drejtat zakonore dhe të fituara me vështirësi të një anglezi”.

Liria është trashëgimia e përbashkët intelektuale që na është lënë nga mendimtarët e mëdhenj të Perëndimit. Por megjithatë situata është e tillë që shumë prej atyre që i konsiderojmë dhe i quajmë të drejta dhe liri individuale e patën shtysën fillestare në Britaninë e Madhe, në shkrimet e filozofëve politikë si John Locke dhe David Hume, studiuesve juridikë si William Blackstone dhe Edward Coke dhe filozofëve moralë dhe ekonomistëve politikë si Adam Smith.

Atë çfarë shkrimet e tyre të kombinuara dhe shkrimet e shumë të tjerëve i dhanë Perëndimit dhe botës gjatë tre ose katër shekujve të fundit ishte filozofia e liberalizmit politik dhe ekonomik. Ajo që filloi si ‘të drejtat e një anglezi’ u bë nga fundi i shekullit të XVIII-të dhe në fillimin e shekullit të XIX-të një filozofi politike universale e të drejtave individuale të të gjitha qenieve njerëzore kudo dhe në çdo kohë. /American Institution for Economic Research/