Search

Lira turke sjell kujtime të këqija

Në këtë situatë aspak të qetë, për shkak të shqetësimeve mbi ecurinë e ekonomisë turke, një shef ekzekutiv i cili nuk dëshiron që ta bëjë publik emrin e tij, tregon një histori për të gjithë ne. Një ditë, në mesin e krizës valutore të viteve 1994, ai mori pjesë në një takim. Vetëm disa orë pas përfundimit të takimit, lira turke ra në nivele shumë të ulëta, aq të ulëta saqë kompania e tij humbi në vlerë me 75 për qind kundrejt dollarit amerikan.

Mesazhi i biznesmenit, i cili kërkoi që emri i tij të mos përmendet, për shkak të klimës politike të brishtë në vend, ishte se Turqia, edhe pse ka kaluar vështirësi të mëdha në të kaluarën, ka mundur të ecë përpara dhe të rikuperojë humbjet. Ai shton se Turqia është një vend elastik, por ajo që e shqetëson më shumë janë ndarjet politike.

“Ajo që ndodhi atëherë ishte e tmerrshme për Turqinë, por të paktën ne qëndruam të bashkuar si komb”, thotë ai.

“Ndërsa këtë herë ne jemi të ndarë, saqë jam i shqetësuar se në rast të një krize tjetër, ne nuk do të kemi sërish po atë përgjigje unifikuese që dhamë ndaj krizës së asokohe, edhe pse duket sikur jemi ende të njëjtën anije”, shtoi ai.

Ekonomia turke i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e vitit të kaluar, duke shënuar një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto prej 7.4 për qind. Megjithatë mbikëqyrësit e ekonomisë vazhdojnë të jenë shqetësuar. Disa mendojnë se Turqia është një ndër vendet më të prekshme nga ekonomitë e tregjeve në zhvillim që kanë lulëzuar dekadën e kaluar.

“Pas krizës financiare globale, bankat qendrore të avancuara dhanë para me lehtësi, likuiditeti ishte në nivele të larta dhe Turqia përfitoi shumë”, shprehet Ugras Ulku nga Instituti i Financave Ndërkombëtare në Uashington.

Tashmë situata nuk është e njëjtë.

Bankat Qendrore të avancuara janë bërë strikte duke u munduar që të normalizojnë strukturën e politikës monetare. Në vende si Turqia, me borxh të lartë, deficit të lartë të llogarisë rrjedhëse dhe me nevoja të mëdha të financimit të jashtëm, padyshim që do të ndikojnë ndjeshëm mbi lirën dhe rritjen ekonomike të këtij vendi.

Ekonomia e varur nga financimet e huaja

Ekonomia e Turqisë është e varur nga huamarrja e huaj për të financuar rritjen e saj. Çdo vit, ajo duhet të sigurojë një financim të jashtëm të barabartë me rreth një të katërtën e Produktit të Brendshëm Bruto së saj, për të mbuluar deficitin e llogarisë rrjedhëse dhe shlyerjen e huave. Analistët paralajmërojnë se shumica e këtij financimi vjen nga flukse të ‘parave të pista’, që mund të zhduken menjëherë nëse një shok i papritur politik, ekonomik apo gjeopolitik ndikon në ndjeshmërinë e investitorëve.

Qeveria po ballafaqohet me paralajmërime të shumta se stimujt fiskalë të ekonomisë të vitit të kaluar po shkaktojnë mbinxehjen e saj. Zgjerimi i deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe inflacioni me dy shifra janë konsideruar si simptomat e para të këtij problemi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, e cila është në mbështetje të ekonomisë turke që nga fillimi i këtij shekulli (pasi ajo kaloi krizën shkatërruese financiare) i ka thënë Ankarasë se duhet të përpiqet që ekonomia e saj ‘të ftohet’, duke rritur normat e interesit për të frenuar inflacionin dhe për të mbështetur një monedhë, e cila po humbet gjithnjë e më shumë pikë kundrejt monedhave të tjera. Por, për Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, rritja e normave të interesit cilësohet si ‘e keqja më e madhe për një komb’, ndërsa rritja dhe zhvillimi ekonomik janë dy pikat më të rëndësishme dhe se aty duhet të përqendrohen më shumë.

Rënia e lirës

Rënia e lirës me 17 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan në periudhën janar-maj, bëri që Banka Qendrore të ndërhyjë, duke rritur normën e interesit me 300 pikë bazë. Investitorët janë të gjithë në dyshimin se nëse një lëvizje e tillë do të jetë e mjaftueshme për të përmirësuar situatën apo është tepër vonë dhe ajo nuk do të ketë efekt.

  Lira turke në kolaps, humb 29 për qind të vlerës përballë dollarit

Rënia e lirës ka ngritur shqetësime në Turqi. Borxhi i saj i jashtëm afatshkurtër, që kryesisht është në valutë të huaj, barazohet me rreth 20% të PBB-së. Sektori i saj bankar ka një nivel ekspozimi në valutë të huaj që, me përjashtim të Koresë së Jugut, Singaporit dhe Hong-Kongut, është më e larta në tregjet kryesore në zhvillim.

Sipas analistëve, Turqia humbi një mundësi shumë të mirë për të rregulluar vendet ku i ‘pikonte çatia në momentin që dielli shkëlqente’.

“Të shumta kanë qenë tregjet në zhvillim që kanë kaluar nëpër reforma të dhimbshme, të cilat më pas kanë rezultuar të jenë fitimprurëse në një periudhë afatgjatë”, tha Nora Neuteboom, një ekonomiste e tregjeve në zhvillim në bankën holandeze ABN Amro.

Por, ky nuk është rasti me Turqinë.

Jo vetëm që Turqia ka inflacion në më shumë se 10 për qind dhe një deficit të llogarisë rrjedhëse 12-mujore të barasvlershme me 6.5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, por disiplina fiskale ka rënë pasi Erdogan ka përdorur ryshfete, duke përfshirë shpërblimet në para ndaj pensionistëve dhe shkurtimet në taksat mbi karburantin dhe pronën. Kohët e fundit, agjencia e Vlerësimit S&P ka rishikuar parashikimin për deficitin qeveritar të vitit 2018 në 2.4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. /Financial Time /Gazeta Ekonomia

Autore: Laura Pitel