Search

Luhatja e çmimit të Bitcoin dekurajon ‘gërmuesit’

Bitcoin ka rënë në atë nivel ku nuk ka më përfitime për ta prodhuar.

Sipas analistëve, rënia e madhe në vlerë e valutës ka bërë që kosto e prodhimit të një njësie të arrijë fitimin. Ky model i vlerësimit përfshin tre faktorë: koston e pajisjes, energjinë elektrike dhe të mirëmbajtjes si ftohjen e kompjuterëve.

Duke parë të dhënat e CoinMarketCap, përcjell Telegrafi, kriptovaluta tregtohej në rreth 8 mijë dollarë në fund të kësaj jave dhe më herët shënoi 7,797.92 dollarë që është niveli më i ulët që prej datës 8 shkurt.

Bitcoin krijohet nëpërmjet një procesi të quajtur ‘mining’, apo gërmim, që harxhon ndjeshëm energji dhe që përdor fuqinë kompjuterike për të zgjidhur ekuacione komplekse matematikore, duke ndërtuar historikun e transaksioneve në Blockchain. Gërmuesit pastaj marrin Bitcoin, në formën e shpërblimit për përfundimin me sukses të ekuacionit. Nëse kosto e krijimit të Bitcoin tejkalon shpërblimin, gërmuesit humbasin motivin e tyre. Sipas analistëve, në këto raste, prodhuesit e Bitcoin thjesht fikin kompjuterët e tyre deri sa çmimi të rritet pak.

Prodhimi i Bitcoin kërkon tashmë kompjuterë të veçantë që kushtojnë me mijëra dollarë, që bëhen më pak efecient me kalimin e kohës dhe që duhen përditësuar me kompjuterë më të rinj e më të shtrenjtë. Sipas faqes në rrjet Bitmain, aparati antminer S9, që gërmon me 13 terra hash për sekondë, kushton dymijë dollarë. Të ardhurat e gërmuesve janë përgjysmuar këtë muaj nga dhjetori, prej rritjes së interesit në këtë proces.

Tarifa mesatare e transaksionit, një tjetër burim i të ardhurave për gërmuesit, ka rënë gjithashtu poshtë 50 centëve nga 34 dollarë që ishte në dhjetor. Në tregun kryesor të gërmimit të Bitcoin, që është Kina, gërmuesit kanë qasje në energji elektrike të lirë të prodhuar nga hidrocentralet. Për të konkurruar me Kinën, duhet të kesh një kosto prej 4 cent për kilovat/orë, ndërkohë që mesatarja në botë është 6 cent.

Gërmuesit kinezë kanë gjithashtu nxiten për të prodhuar Bitcoin pavarësisht kostos për shkak se i lejon që të dërgojnë paratë jashtë vendit dhe të shmangin kontrollet e kapitalit të qeverisë. Çmimi në të cilin gërmuesit do të nisin përfundimisht mbylljen e operacioneve është në 3 deri 4 mijë dollarë.