Search

‘Mania e Tulipanëve’ ku një lule kushtonte më shumë se një shtëpi

Nëse do t’iu duhej të shpenzonit një shumë të madhe parash për të blerë vetëm një gjë, do të zgjidhnit një banesë luksoze, apo një lule të vetme tulipani? Epo, do të habiteni se si do t’i përgjigjej një holandez kësaj pyetjeje në vitet 1630.

Në vetëm gjashtë muaj, çmimet e tulipanëve u rritën njëzetfish, përpara se të humbisnin 99 për qind të vlerës së tyre. Kjo u quajt ‘Mania e Tulipanëve’ dhe konsiderohet si një nga flluskat financiare më famëkeqe në histori.

Në shekullin e XVI-të, tulipanët ishin ndër lulet më të çmuara dhe ishin simbol statusi në Perandorinë Osmane. Bima gjendej fillimisht në Turqi, Persi dhe vendet e tjera Islame, ndërsa u prezantuar në Evropën Perëndimore vetëm në vitin 1593.

Risia e kësaj luleje bënë që çmimi të ishte i lartë dhe të fitonte interesin e të pasurve, ndërsa në qendër të manisë qëndronte tulipani me shumë ngjyra të ndezura, çka e bënte atë të dukej më i gjallë dhe ekzotik.

Tregtia botërore e kishte ndihmua Holandën të bëhej një prej shteteve më të pasura në Evropë, e pajisur me aristokratë të pasur dhe një shtresë të mesme në rritje. Gjatë kësaj periudhe dukej se i gjithë shteti ishte përfshirë në mani dhe flitej vetëm për tulipanët.

Në muajt e parë të vitit 1637, një lule e vetme tulipani kushtonte aq sa për të ushqyer, veshur dhe strehuar një familje të tërë holandeze për gjysmë shekulli, ose sa për të blerë një prej shtëpive më të mëdha në kanalin më popullor të Amsterdamit.

E pashmangshmja ndodhi. Investitorët humbën sensin logjik të pritshmërive të tyre, çka solli një valë blerjesh. Kur ata kuptuan se sa shumë kishin paguar për të blerë tulipanë, filluan të shesin gjithçka. Shitja masive solli kolapsin e çmimeve dhe shumë investitorë ngelën në gjendje të dobët financiare.

Por si u rimëkëmb ekonomia holandeze? Në fakt nuk kishte shumë për t’u rimëkëmbur, pasi nuk kishte aq shumë njerëz që ishin përfshirë në flluskë dhe pasojat ekonomike ishin të vogla.

Por pavarësisht se kjo flluskë është fryrë më tej si më e keqja në histori, ajo nuk solli falimentin e askujt dhe nuk shkaktoi dëme në ekonomi. Mania e tulipanëve as nuk krahasohet me evente të tilla si: kopasi i flluskës së aseteve në Japoni që solli një dekadë të tërë stanjacioni në vitet ’90-ta, flluska ‘Dot-Com’ e cila bëri që industria teknologjike të humbiste miliarda dollarë në pasuri, apo si flluska e shtëpive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila solli ‘recesionin e madh’ nga viti 2007-2009. /ScanTV