Search

Marrëdhëniet Gjermani-Turqi në ‘pikën më të ulët’

Një mosmarrëveshje e re ndërmjet Gjermanisë dhe Turqisë ka ofruar shenjën e fundit të përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet Ankarasë dhe Bashkimit Evropian që prej puçit të dështuar ushtarak në Turqi në korrik.

Turqia të hënën ka ftuar për bisedë urgjente një diplomat të lartë gjerman për të shpjeguar pse gjykatat në shtetin anëtar të BE’së ia ndaluan presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, t’i adresohej nëpërmjet një videokonference një turme prej rreth 40.000 mbështetësve në qytetin e Këlnit të dielën, të cilët ishin tubuar për të demonstruar mbështetjen e tyre për udhëheqësin turk, shkruan The Wall Street Journal.

Duke vlerësuar një rrezik nga trazirat, policia gjermane vendosi të mos lejonte Erdoganin të paraqitej nëpërmjet videokonferencës në tubim. Gjykatat gjermane mbështetën vendimin e policisë gjatë fundjavës, pasi organizatorët e protestës e kundërshtuan atë.

Politikanët turq dhe gjermanë kanë shkëmbyer akuza për anim dhe shantazh nëpërmjet televizioneve dhe rrjeteve sociale, duke vënë në pah rritjen e mosbesimit ndërmjet dy vendeve rreth asaj që kritikët evropianë të Erdoganit e shohin si represion autokratik në Turqi – dhe që mbështetësit e tij turq i shohin si kritika të padrejta ndaj vendit të tyre.

“Kjo është pika më e ulët që kam parë ndonjëherë në marrëdhëniet gjermano-turke”, ka thënë Burak Copur, politolog dhe njohës i marrëdhënieve gjermano-turke në Universitetin e Duisburgut-Esenit. “Kështu po shkojmë drejt një përplasjeje ndërmjet BE’së dhe Turqisë”, ka vlerësuar ai.

Shtetet anëtare të BE’së nuk po arrijnë ende të gjejnë një ekulibër ndërmjet vazhdimit të bashkëpunimit me Turqinë dhe kritikave ndaj represionit të madh nga Erdogan kundër mbështetësve të supozuar të puçit të dështuar në vend.

Atmosfera e tensionuar po rrit dyshimet nëse BE’ja dhe Turqia do të arrijnë të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të fundit në frenimin e emigracionit masiv nga Lindja e Mesme në Evropë.