Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Mbahet takimi i tretë i nënkomitetit të MSA-së për bujqësi, zhvillim rural, peshkatari dhe siguri ushqimore

May 17, 2019

Delegacioni nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm, Kapllan Halimi ka qëndruar në Bruksel për dy ditë në kuadër të takimit të tretë të nënkomitetit për ‘Bujqësi, Zhvillim Rural, Peshkatari dhe Siguri Ushqimore’, i cili u realizua ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi i zbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016, si dhe realizimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për nënkomitetin.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ishte pjesë aktive raportuese e këtij nënkomiteti, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Ministra e Integrimit Evropian.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë raportuan progresin e arritur gjatë vitit 2018 për zhvillimin e sektorit bujqësor, si dhe sfidat e së ardhmes, duke u përqendruar veçanërisht në masat e ndërmarra për përmirësimin e situatës së tregtimit të produkteve bujqësore, fermat organike, standardet e tregut, politikat e cilësisë dhe legjislacioni, peshkimi dhe nënproduktet e tij, etj. /Gazeta Ekonomia/