Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Mbi 25 mijë familje në Kosovë jetojnë vetëm me ndihma sociale

Në Kosovë janë mbi 25 mijë familje që jetojnë nga ndihmat sociale dhe gjithë këto familje i kushtojnë shtetit rreth 33 milionë euro në vit. Numri më i madh i tyre është në Mitrovicë, pasuar nga Prishtina, dhe Vushtrria.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale, viti 2018”, janë mbi 100 anëtarë që vazhdojnë të jetojnë vetëm me paratë të marra nga ndihmat sociale.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25,345 familje me gjithsej 103,409 anëtarë dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2,206 familje”, thuhet në raportin e ASK-së, shkruan Telegrafi.

Ndërkaq, nga pensionet bazë të moshës janë 126,888 përfitues, pasuar nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës që janë 45,391 përfitues dhe nga pensionet familjare përfitojnë 4,031 persona.

“Nga skemat pensionale rezulton se nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 126,888 përfitues, nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 45,391 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 4,031 përfitues, nga skema për pensionet invalidore janë 101 përfitues, nga skema për pensionet e Trepçës janë 2,950 përfitues nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 817 përfitues, nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 482 përfitues, nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 2,021 përfitues, nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17 998 përfitues, nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2,986 përfitues”, vijon raporti.

Bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2018, numri më i madh i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale është në Komunën e Mitrovicës me gjithsej 2,275 familje, ndjekur nga Prishtina me 1,683 familje dhe Vushtrria me 1,452 familje.