Search

Mehmeti: Sektori bankar një nga kontribuuesit e rritjes ekonomike të Kosovës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në konferencën vjetore të bankave se sektori bankar i Kosovës, ka thënë se në vitet e fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin në financimin e rritjes ekonomike në vend.

Mehmeti ka thënë se ky zhvillim pozitiv ka sjell përmirësime të vazhdueshme në qasjen në financa, e cila për një kohë të gjatë është raportuar nga bizneset si njëra ndër barrierat kryesore për zhvillimin e afarizmit të tyre.

“Standardet më të lehtësuara kreditore dhe zvogëlimi i normave të interesit në kredi kanë shërbyer si stimuj të rëndësishëm për rritjen e kërkesës për kredi, duke rezultuar në një rritje vjetore të kredive prej 11.6 për qind në muajin tetor të këtij viti. Në tetor 2018, norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.6 për qind, që paraqet një përmirësim shumë të madh në krahasim me një periudhë jo shumë të largët, kurse norma e kredive joperformuese ishte 2.8 për qind, gjë që pasqyron një gjendje shumë të mirë të cilësisë së portofolit kreditor. Këta tregues tregojnë se oferta për kredi është përmirësuar në masë të konsiderueshme”, ka thënë Mehmeti.

Në fjalimin para të pranishmëve, ai ka thënë se zhvillim i rëndësishëm në sektorin bankar është edhe përmirësimi në qasjen ne financa, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe sektorin e prodhimit, të cilët në vitin e fundit ka qenë ndër sektorët me rritjen më të lartë të kredive të pranuara.

“Ne jemi duke i ofruar sektorit bankar standardet më bashkëkohore të rregullativës dhe mbikëqyrjes financiare, duke bërë që bankat dhe institucionet tjera financiare në Kosovë të operojnë në bazë të rregullave që janë në fuqi në të gjitha vendet e zhvilluara. Po ashtu, BQK-ja i ofron sektorit bankar një infrastrukturë moderne financiare. Sistemi i pagesave ndërbankare, një sistem modern, efikas dhe i sigurt, si dhe regjistri i kredive që i ofron bankave shërbimet më moderne në këtë fushë, paraqesin shembuj të mirë për të ilustruar zhvillimin e infrastrukturës financiare në Kosovë”, është shprehur ai.

I pari BQK-së ka thënë se është rritur angazhimi në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare.

“BQK-ja, që nga fillimi i funksionimit të saj, gjithmonë ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të zhvillimit të sistemit financiar, por dëshiroj të theksoj se ne jemi të përkushtuar që të sigurohemi se zhvillimi i institucioneve financiare të bëhet në përputhje të plotë me parimet e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve. Në këtë aspekt, ne jemi të vendosur që të rritim edhe më tutje angazhimin tonë në mbrojtje të të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe kërkoj nga bankat që të shqyrtojnë me kujdes kërkesat ligjore dhe politikat e tyre për të shmangur çdo pengesë të paarsyeshme, e cila vështirëson ndërveprimin normal ndërmjet qytetarëve dhe sektorit bankar”, ka deklaruar në fund Mehmeti, duke theksuar se BQK-ja do të vazhdojë të mbështesë të gjitha aspektet e zhvillimit të sektorit bankar, duke ofruar gjithë infrastrukturën e nevojshme si financiare ashtu edhe rregullatore.

Në panelin e diskutimit me titull ‘Financimi i zhvillimit: Bankat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovë’, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka folur rreth mundësive të ndërlidhjes së sektorit bankar me ekonominë me qëllim të fuqizimit të rritjes ekonomike. /Gazeta Ekonomia/