Search

Mërgimtarëve iu plaçkitën 200 milionë euro

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Faton Topalli, në një prononcim për “Kosova Sot”, tha se që 15 vjet janë plaçkitur mbi 800 mijë mërgimtarë, gati gjysma e popullsisë së Kosovës nga njerëzit e afërm të politikës

Nga paslufta e deri më sot, kompanitë e sigurimeve të Kosovës kanë fituan miliona euro nga mërgimtarët tanë në botën perëndimore, duke i detyruar ata që të paguajnë shuma të mëdha parash për policat e sigurimeve me rastin e hyrjes së tyre në Kosovë. Sipas përfaqësuesve të opozitës, fajtorë që mërgimtarët tanë tash e 15 vjet po plaçkiten janë të afërm të Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit që kontrollojnë Byronë e Sigurimeve. Ajo që dihet nga ana e zyrtarëve të BQKsë janë shifrat e fitimeve që i bënë kompanitë e sigurimeve për vitin e kaluar dhe ato të 5 mujorit të parë sivjet.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, tha për “Kosova Sot” se të hyrat nga shitja e policave kufitare gjatë vitit 2014 ishin në shumë rreth 14.7 milionë euro. Nga këto të hyra, përveç pagesës së dëmeve, ka edhe shpenzime tjera operative, të cilat ndodhin me rastin e kryerjes së operacioneve të Byrosë”.

Sipas Kadës, të hyrat nga shitja e policave kufitare për 5 muajt e parë të këtij viti janë rreth 4.5 milionë euro. Kada tha se BQK-ja në takimet e zhvilluara ka kërkuar rishikimin e tarifave të policave kufitare.

Ai nuk ka folur për atë se si po vazhdojnë të dëmtohen bashkatdhetarët tanë nga politika e grupeve të interesave dhe as sa para saktësisht i kanë dëmtuar mërgimtarët tanë, Ganiu Thaçi, ndryshe vëllai i Hashim Thaçit, dhe Rrahim Pacolli, i afërm i Behgjet Pacollit.