Search

Ministri Hamza: Masat e reja fiskale fuqizojnë sektorin privat

Ministri i Financave, Bedri Hamza, sot ka pritur në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, kryetarin e Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, si dhe kryetarin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha. Ata diskutuan për zbatimin e masave të reja fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave (MF), e të cilat kanë filluar së zbatuari nga 1 janari i këtij viti, si dhe për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Gjatë takimit, ministri Hamza, tha se masat e reja fiskale do të ndikojnë në krijimin e kushteve më të mira për prodhuesit vendor e sidomos në fuqizimin e sektorit privat.

Hamza lidhur me futjen e masës së re për kalimin e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga kufiri në brendësi të vendit, tha se do të kërkojë reforma të shumta, mirëpo sipas tij kjo do të lehtësoj shumë punën e bizneseve.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, tha se agjenda ekonomike nuk ka alternativë dhe po promovohet një pako e re për të bërë biznes në Kosovë.

Astrit Panxha, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, tha se janë duke punuar në hartimin e një dokumenti i cili do t’i dorëzohet MF-së dhe i cili ka të bëjë me propozimin për stimulimin e eksportit.

Në fund, Arian Zeka, kryetar i Odës Amerikane, tha se këto masa po tregojnë se në këtë vend së paku në aspektin e zhvillimeve ekonomike ka një vazhdimësi e që është një tregues i mirë për investitorët. /Gazeta Ekonomia