Search

Ministri Rikalo vizitoi Institutin Bujqësor në Pejë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, i shoqëruar nga dy zëvendësministrat, Mevludin Krasniqi dhe Shukri Maxhuni, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi, kanë vizituar Institutin Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë, ku janë takuar me drejtuesit dhe ekspertët e këtij institucioni bartës të ministrisë, që kryen analiza të shumta nga fusha e bujqësisë dhe ushqimit.

Ministri Rikalo theksoi se IBK-ja është një nga institucionet më të rëndësishme për vendin, pasi që nga puna që bëhet aty ndikohet një pjesë e madhe e prodhimtarisë bujqësore dhe ushqimore. Ai me këtë rast është njohur për së afërmi me punën në këtë institut, ku ka vizituar për së afërmi laboratorët dhe procesin e punës së analizave për shumë lëndë që ka përsipër ky institut.

Ai theksoi se ky institut është i pajisur me teknologji të mirë shkencore, por shtoi se duhet të punohet në tejkalimin e disa sfidave që lidhen me rritjen e personelit profesional dhe teknik dhe përmirësimin e mëtejmë të kushteve të punës. Në këtë drejtim ai premtoi mbështetjen e ministrisë.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit, Fehmi Geci falënderoi ministrin për vizitën dhe mbështetjen. Ai e njoftoi ministrin me procesin e punës së institutit dhe me sfidat me të cilat përballet instituti. /Gazeta Ekonomia/