Search

Ministria e Bujqësisë dhe shoqata Gen Vet nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe shoqata për Përmirësimin Racor të Gjedheve Gen Vet, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit synohet mbështetja dhe promovimi i aktiviteteve të shoqatës në sektorin e blegtorisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri Nenad Rikalo, tregoi se mbështetja e ministrisë për avancimin e veprimtarisë së shoqatës do të rritet në vazhdimësi.

“Ky memorandum ka rendësi të veçantë për shoqatën Gen Vet, pasi që përmes kësaj forme të bashkëpunimit po krijohen mundësitë që shoqata t’i shfrytëzojë asetet e ministrisë për zhvillimin dhe avancimin e aktiviteteve të saj e bashkë me këtë të promovojë zhvillimin e prodhimtarisë blegtorale dhe riprodhimin e bagëtisë në gjithë vendin”, ka thënë ministri Rikalo.

Krahas kësaj, ministri ka theksuar se ky memorandum mirëkuptimi, i cili është nënshkruar për një periudhe dy vjeçare, do të ndihmojë shoqatën që aktivitetet e saj në sektorin e blegtorisë t’i zhvillojë sipas praktikave më të mira, por që krahas kësaj ai tha se ministria përmes formave të ndryshme do të ofrojë mbështetje për veprimtaritë e shoqatës.

Ndryshe, përmes këtij memorandumi, i mundësohet shoqatës Gen Vet, që të shfrytëzojë asetet e ministrisë, në veçanti të Qendrës Gjenetike në Vitomericë të Pejës, duke përfshirë këtu edhe asetet e siguruara nga Ministria e Bujqësisë nga Qeveria e Italisë nëpërmjet Programit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe tokën që i takon Institutit Bujqësor të Kosovës, me seli në Pejë. /Gazeta Ekonomia/